NË FERIZAJ U PËRURUAN DY LIBRA TË NEHAT ISLAMIT

5 Minuta Lexim

Pak ditë më parë, në një atmosferë të ngrohtë kulturore në qytetin e Ferizajt, u përuruan dy libra të rinj të autorit të njohur dhe doajenit të gazetarisë shqiptare, Nehat Islami. Ngjarja e organizuar nga Klubi letrar “De Rada” dhe Botimet Drini mblodhi dashamirë të librit, gazetarë, intelektualë dhe përfaqësues të jetës publike, të cilët ndoqën me interes prezantimin e këtyre veprave me vlerë.

Librat që u përuruan: “Hotel Bejruti” dhe “Kur vjen kamerieri” janë botuar nga Shtëpia Botuese DRINI, e cila vazhdon të mbështesë autorët dhe veprat që kontribuojnë në pasurimin e letërsisë dhe publicistikës shqiptare.

Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë fjalët vlerësuese për autorin dhe veprat e tij nga: Xheladin Rexhepi – shkrimtar, Rexhep Maloku – gazetar dhe Arsim Hamiti – kritik letrar. Ndërsa në cilësinë e botueses dhe të redaktores së librave foli Zyrafete Shala, e cila theksoi rëndësinë e këtyre botimeve.

Vlen të theksohet se “Hotel Bejruti”, është një prej veprave më të njohura të autorit, që sjell reflektime të thella mbi përvojat e tij nga Lindja e Mesme dhe përplasjet e realitetit politik të kohës. Është një përmbledhje shkrimesh që Nehat Islami i ka realizuar si korrespondent i gazetës “Rilindja” në vitet ’70, nga vatrat e krizave në Lindje si: Liban, Siri, Irak, Iran e Egjipt. Ishte koha Nehat Islami ishte i vetmi gazetar shqiptar që mbulonte ngjarjet drejtpërdrejt nga terreni, por më shumë se një raportues, ai në këto shkrime paraqitet si vëzhgues i mprehtë, interpretues i thellë dhe dokumentues i ndjeshëm i realitetit. Ai sjell jo vetëm fakte, por përvoja njerëzore dhe rrëfime plot emocion, duke e kthyer gazetarinë në një formë të vërtetë të letërsisë dokumentare. Me epilogun e ri që pasqyron zhvillimet e mëvonshme në vendet për të cilat ka shkruar, ky ribotim u jep lexuesve mundësinë të ndjekin jo vetëm çfarë ka ndodhur, por edhe si kanë evoluuar ato ngjarje historike deri në ditët tona.

Ky është botimi i tretë i plotësuar i këtij libri.

Libri tjetër “Kur vjen kamerieri” është një përmbledhje e re, që përfshin artikuj të botuar gjatë viteve ’90 në të përditshmen “Bujku” dhe intervista me personalitete të rëndësishme të kohës që na kthejnë në një nga periudhat më të rënda për shqiptarët e Kosovës, vitet ’90, kur gazetaria nuk ishte vetëm profesion, por edhe formë rezistence. Në kohën kur “Rilindja” dhe Radio Televizioni i Prishtinës ishin mbyllur nga regjimi serb, gazeta “Bujku” mbeti e vetmja dritare e fjalës së lirë. Dhe pikërisht aty, shkrimet e Nehat Islamit luajtën një rol të pazëvendësueshëm në dokumentimin e realitetit të ashpër, në ruajtjen e dinjitetit dhe në mbajtjen gjallë të shpresës kolektive.

Artikujt e këtij libri trajtojnë një spektër të gjerë temash, nga zhvillimet politike në Kosovë, te analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë, dhe gjithmonë me një qasje analitike, të matur dhe të përkushtuar ndaj të vërtetës. Libri plotësohet me karikatura të Veli Blakçorit, që e bëjnë atë edhe vizualisht një dëshmi të gjallë të asaj kohe.

Të dy këto botime janë dëshmi e një karriere të rrallë të Nehat Islami, i cili me përkushtimin, integritetin dhe vizionin e tij, mbetet një emër referent në gazetarinë shqiptare. Ai ka ditur të ndërthurë raportimin faktik me ndjeshmërinë morale, duke e ruajtur gjithmonë respektin për fjalën e shkruar dhe për lexuesin.

Përurimi i këtyre dy librave shënon jo vetëm një ngjarje kulturore, por edhe një kujtesë për rolin e rëndësishëm që ka pasur Nehat Islami në ndërtimin e gazetarisë bashkëkohore shqiptare, si dhe në rrëfimin e historive që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull