Dosja e “Gërdecit” po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dorëzuar së fundmi në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) prova të reja që lidhen drejtpërdrejt me procesin penal të kësaj ngjarjeje tragjike. Në qendër të zhvillimeve të fundit del emri i Shkëlzen Berishës. Bëhet fjalë për një faks, të sekuestruar në Ministrinë e Mbrojtjes, pa numër dhe pa datë, i cili mban shënimin “për z. Shkëlzen Berisha”.
SPAK deklaroi disa ditë më parë se shënimi rezulton pjesë e përmbajtjes origjinale të dokumentit të ardhur nga Ministria e Drejtësisë dhe jo një shtesë e mëvonshme. Shkëlzeni është përmendur me pseudonimin “djali me sy peshkaqeni”, në librin e “Armët dhe çunat”,të gazetarit të njohur të New York Times-it Guy Lawson që rrëfen skandalin e trafikut të armëve shqiptare drejt Afganistanit dhe shpërthimit të frikshëm në Gërdecit.
Hetimi po ndiqet nga prokurori Altin Dumani, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e kreut të SPAK, dhe tashmë ka në dorë fatin e një prej dosjeve më të rënda të Shqipërisë post-komuniste, ku 26 persona humbën jetën dhe ku, sipas dëshmive dhe indicieve, të gjitha fijet çojnë drejt familjes Berisha. Juristja Brizida Gjikondi paralajmëroi së fundmi në një intervistëtelevizive se hetimi mund të prodhojë zhvillime të forta, ndërsa nuk përjashtohet goditja ndajShkëlzen Berishës dhe hapja e një zinxhiri përgjegjësish penale që mund të shkojë edhe më lart.Kjo sipas juristes varet nga Altin Dumani.
Çfarë deklaron Gjikondi?
“Mos harrojmë që kanë vdekur 26 persona të pafajshëm, si dhe mos të harrojmë edhe diçka tjetër: po bëhen 18 vjet që kur ka ndodhur kjo ngjarje dhe, për më tepër, të gjitha tentakulat çojnë te familja Berisha. Kjo i tregon të gjitha. Është një fakt që të gjithë shqiptarët e kanë ditur pa përjashtim. E dimë të gjithë që edhe zoti Mediu, edhe kush ka qenë ministër i Drejtësisë, dhe të gjitha strukturat kanë qenë në funksion të Shkëlzen Berishës. Por, më në fund, po merret guximiqë t’i vihet emër dhe mbiemër atij krimi, që është një nga krimet flagrante që ka ndodhur në Shqipërinë post-komuniste, ku 26 veta kanë humbur jetën. Është skandaloze, sepse ky fakt dihej, por më në fund tashmë po merr emër dhe mbiemër. A rrezikon që edhe Shkëlzen Berisha të merret i pandehur për Gërdecin?
Kjo varet e gjitha nga serioziteti i hetimeve të SPAK-ut, nga prokurori i çështjes, i cili përpara pak ditësh ka qenë edhe kryesuesi i SPAK-ut, zoti AltinDumani. Gjithçka varet nga aftësia e tij për t’i shkuar hetimit deri në fund; të mos mbetet me një faks dhe me një emër sipër, edhe me ca tabulate telefoni, por realisht me anë të dëshmive të dëshmitarëve. Pavarësisht se ne e dimë që shumë prova janë zhdukur – edhe kamerat, edhe sistemi i verifikimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe shumë prova të tjera janë zhdukur – besoj se një prokuror i aftë arrin të bëjë lidhjen shkak-pasojë. Ai mund të vërtetojë që ai biznes – siç e ka thënë me emër dhe mbiemër i ndjeri Trebicka – ai biznes i demontimit të armëve në mënyrë aq joprofesionale ishte i gjithë biznesi i familjes Berisha, i djalit të zotit Berisha.”
Prapaskenat
Gjikondi ka folur edhe për dyshimet se vdekja e Kosta Trebickës ishte aksident apo vrasje. “Nuk do të përjashtoja asnjë pistë, sidomos këtë të dytën. Këtu në Shqipëri ndodhin shumë gjëra, sidomos krime me petk shtetëror, por ndërkohë stimulohen sikur janë aksidentale. Nuk do ta përjashtoja, biles personalisht mendoj që nuk ka qenë aksidentale që gjoja zoti Trebicka, duke shkuar për gjueti, pati atë rrotullimin e makinës në një rrugë, në një lëndinë të drejtë. Kjo ndodhi pas pak kohësh që ai kishte bërë denoncimin në lidhje pikërisht me mënyrën se si po bëhej demontimi dhe shitja e armatimeve të Shqipërisë për në tregun e zi dhe në tregun e trafikimit të armëve”, tha ajo ndër të tjera.
E pyetur nëse prokurorët e SPAK-ut do të arrijnë që këtij hetimi t’i shkojnë deri në fund, a rrezikon Shkëlzen Berisha të merret i pandehur? Dhe nëse do të rrezikojë Shkëlzen Berisha, a do të thotë kjo që i pandehur më pas mund të merret edhe Sali Berisha për Gërdecin, Gjikondi tha: Tani, ne e kemi vënë re që Berisha, në të dy rastet – si me rastin që tani doli “non grata” dhe me problemet që ka me SPAK-un ku çështja e tij për klubin “Partizani” është në GJKKO, si dhe me rastin e djalit të tij – ai patjetër që ka lidhje indirekte me çfarë ka ndodhur me abuzimin e fëmijëve të tij.
Ai ka lehtësuar komplet procedurat, por i ka lehtësuar në mënyrë joligjore se si të përfitonin fëmijët e tij në të dy rastet; si Shkëlzen Berisha në lidhje me demontimin e armëve, po ashtu edhe vajza e tij ose dhëndri i tij në lidhje me klubin “Partizani”, por edhe me shumë afera të tjera që janë përmendur. Për procedimin e tyre ose jo nuk kam ndonjë informacion, por klubi “Partizani” dhe Gërdeci janë dy raste flagrante se si Berisha, direkt ose indirekt, ka ndikuar në pasurimin e paligjshëm të fëmijëve të tij, duke vënë në dispozicion shtetin në funksion të tyre.
Ndaj, edhe ai faksi me shënimin sipër për zotin Shkëlzen Berisha dhe “Selimi poshtë”, është patjetër një provë e re që SPAK po i jep forcë ligjore dhe formë ligjore. Por mos harrojmë që SPAK është aty për të zbuluar të tjera gjëra. Duhet të ketë kurajën, integritetin dhe dinjitetin t’u vërë emër të gjitha gjërave që kanë ndodhur. Puna është të ketë kurajo të flasë hapur dhe të provojë hapur që edhe zoti Mediu, edhe shumë të tjerë, kanë qenë ndihmës, por jo personazhet kryesorë të asaj që ka ndodhur atje.” Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

