Këtë vit shënohet 50-vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe. Nga 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë i zhvilloi punimet Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe (Gjuhës standarde). Për të shënuar këtë përvjetor, institucionet albanologjike në Shkup, Tiranë e Prishtinë po zhvillojnë një sërë aktivitetesh.
Në Tiranë sot, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbajnë një takim, ku të ftuar janë akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut si dhe drejtues shtetërorë, përfshirë Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj.
Kryeministri Edi Rama, teksa nisi fjalën e tij në konferencë me një ironi thumbuese për organizatorët e aktivitetet. Ai tha se mbi të gjitha nuk kupton se përse mes flamujve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, qëndron edhe ai i NATO-s.
“Tre flamujt të qëndrojnë bashkë si flamuj që mishërojnë ndër të tjera dhe në të njëjtën kohë, një pakt të vështirë siç është gjuha. E dimë shumë mirë por rreziku gjithnjë e më i madh është ta marrim si diçka që ka qenë gjithmonë aty. Sa e pamundur është dukur jo shumë shekuj më parë, por deri disa vite më parë që shqipja të pranohej flitej e shkruhet lirisht si e drejtë themelore e shqiptarëve edhe në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. I vetmi flamur që nuk kuptova pse është është ai i NATO-s. Ua thashë edhe organizatorëve se deri tek flamuri i BE e kuptoj. Akademia ka shpëtuar edhe nga ankthi i madh i luftimit të komunizmit”, tha ai.