Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit, ndërsa gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar.
Aktualisht territori i vendit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat kanë pësuar rritje.
Grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve dhe inerteve, si dhe për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka pasur nevojë, me qëllim parandalimin e ngricave.
Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë udhëtimeve drejt zonave malore ku ka ende prezencë dëbore.

