Nje histori me artefaktet e vjedhura dhe Grokipedia

3 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Kur E. Musk foli për krijimin e Grokipedisë së tij, si një alternativë, madje si një konkurrente shumë e fuqishme e Wikipedisë, ajo ishte diçka jashtë çdo interesi për mua. Kjo deri para pak ditësh, kur, duke lexuar diçka në llogarinë time në X, m’u shfaq një zë i Grokipedisë, sa një çarçaf që më ishte “kushtuar” mua.
E lexova deri në fund dhe mbeta mjaft i shqetësuar nga pasaktësitë e shumta.
Ajo që më bezdisi më shumë ishte mënyra si trajtohej puna ime në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Pasurive Kulturore. Është e vërtetë që ky institucion lindi si ide e imja, me përkrahjen e plotë të ministrit dhe kryeministrit të kohës, përkatësisht Anagnosti dhe Meksi.
Qe një lloj kërkese historike që ndodhi pas tronditjes që shkaktoi një vjedhje e madhe në Muzeun Kombëtar.
Kujtoj se për atë ngjarje njoftova menjëherë Europolin dhe muzetë më të mëdha botërore që të refuzonin blerjen e objekteve tona të vjedhura.
Problemi ishte se ata më kërkuan informacion të plotë për to dhe aty vërejta se mungonin përshkrimet dhe kartelat e sintetizuara e të informatizuara që do ta bënin të mundur një veprim të tillë. Në fakt ishte një kohë kur rrallë gjeje ende ndonje kompjutër në zyrat e shtetit.
Pikërisht këtu më lindi ideja për të skanuar dhe regjistruar çdo vepër arti, gjetje arkeologjike, ikonografike dhe çdo artefakt tjetër muzeal në territorin shqiptar, në fondet private apo shtetërore, nga periudhat e qëmotshme ilire, bizantine e më tej.
Për këtë arsye dhashë dorëheqjen nga ministria dhe i paraqita një projekt Bankës Botërore, që e miratoi menjëherë.
Sigurisht, ishte një punë kolosale dhe profesionalisht e vështirë, me gjithë specializimet e mia të gjata në Angli dhe Francë . Por Grokipedia e ka keqkuptuar krejt këtë proces.
Nuk e di nga është nisur, por ajo më paraqet mua si studiues të këtyre periudhave historike. Me një ekip të tërë, jemi marë me përshkrimin dhe regjistrimin e mijera objekteve tona të artit, personalisht kam skanuar me qindra ikona sa më duket se jam mik personal me shumë shenjtorë, skanimi i te cileve zgjaste orë të tëra, por në rastin më të mirë e mbaj veten për administrator dhe njohës të tyre, por jo si studiues i fushave të tilla. Për to kanë punuar me pasion e përkushtim dhjetëra studiues të tjerë: historianë, arkeologë, piktorë, akademikë etj.
Gjithsesi, ka edhe pasaktësi të tjera, por kjo ishte ajo që më shqetësoi më shumë dhe desha ta vë urgjentisht në dukje. Nuk dua të flas pastaj për interpretimin e çuditshëm të publicistikës dhe disa librave të mi.
Personalisht, as që e kuptoj përse Grokipedia hyn në këto hollësi profesionale, që nuk i duhen kujt.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull