Nga Arben Isaraj-
Gazetari, politikani dhe etika përbëjnë një trekëndësh delikat të demokracisë, ku secila palë ka pushtet të madh mbi të vërtetën publike, opinionin dhe drejtimin e shoqërisë. Kur njëra prej tyre dështon, e gjithë arkitektura e besimit publik tronditet.
Në një shoqëri demokratike, gazetari nuk është thjesht transmetues informacioni, por kujdestar i interesit publik. Etika e gazetarisë mbështetet mbi parime themelore, si:
• E vërteta dhe verifikimi – Informacioni duhet të jetë i saktë, i verifikuar dhe i paanshëm.
• Pavarësia – Gazetari nuk duhet të jetë instrument i politikës, biznesit apo ideologjisë.
• Përgjegjësia – Publikimi i një lajmi ka pasoja reale mbi individë dhe shoqëri.
KE e lidh lirinë e medias me etikën profesionale. Në Rezolutën 1003 (1993) për “Etikën e Gazetarisë” thuhet se: “Gazetari duhet të dallojë faktet nga opinionet; të shmangë konfliktin e interest; të mos pranojë përfitime politike ose financiare për raportim të favorshëm; të verifikojë burimet.”
Kur gazetari i shërben një partie, ai pushon së qeni gazetar në kuptimin etik.
Liria e shtypit nuk është licencë për shpifje, manipulim dhe propagandë politike të fshehur. Kur gazetaria shndërrohet në propagandë ose në mjet shantazhi, ajo pushon së qeni institucion etik dhe kthehet në “armë” pushteti.
Politika është fusha ku merren vendime që prekin jetën e miliona njerëzve. Prandaj, politikani nuk mund të udhëhiqet vetëm nga efikasiteti, por duhet të udhëhiqet nga legjitimiteti moral. Parimet etike të politikës përfshijnë:
• Interesin publik mbi interesin personal
• Transparencë dhe llogaridhënie
• Respekt për ligjin dhe institucionet
KE kërkon që politikanët të mos frikësojnë gazetarët; të mos i padisin për t’i heshtur (SLAPP); të mos përdorin median si instrument propagande.
Në Rekomandimin CM/Rec(2016)4 “Mbi mbrojtjen e gazetarisë” thuhet se: “presioni politik mbi median është formë e cenimit të demokracisë.”
Prandaj politikani etik: i duron kritikat; i përgjigjet fakteve; nuk kërkon të kontrollojë narrativën.
Kur politika bëhet cinike, manipulatore dhe klienteliste, ajo nuk humbet vetëm etikën, por edhe “autoritetin moral” për të qeverisur.
Marrëdhënia midis tyre është e rrezikshme, kur gazetari dhe politikani bëhen aleatë.
Problemi më i madh etik vjen kur: Gazetari kërkon pushtet dhe politikani kërkon kontroll mbi të vërtetën.
Kështu lind: media e kapur; propaganda; lajmi i rremë, heshtja përballë korrupsionit.
Në këtë pikë, qytetari mbetet pa mbrojtje, sepse politika nuk kontrollohet nga media, dhe media nuk shërben më publikun.
Këtu shërben Etika si vijë ndarëse, sepse është ajo që ndan: gazetarin nga zëdhënësi; politikanin nga demagogu, demokracinë nga manipulimi.
Sipas standardeve të Këshillit të Evropës:
• Gazetari është përgjegjës për të vërtetën.
• Politikani është përgjegjës për pushtetin.
• Etika është ajo që i mban të dy nën kontroll.
Kur këto të treja ndahen, demokracia funksionon. Kur bashkohen kundër publikut, lind autoritarizmi i maskuar.
Pa etikën gazetaria bëhet treg, politika bëhet grabitje dhe e vërteta bëhet mall.
________________
Pak referenca miqësore:
1. Convention for the Protection of Human Rights and Fundamental Freedoms (European Convention on Human Rights), Art. 10.
2. Parliamentary Assembly of the Council of Europe, Resolution 1003 (1993) on the Ethics of Journalism.
3. Committee of Ministers of the Council of Europe, Recommendation CM/Rec(2016)4 on the Protection of Journalism and Safety of Journalists and Other Media Actors.

