Rusia i kërkon liderëve të G20-tës të mos diskutojnë më për çështje të sigurisë dhe të fokusohen në problemet më të rëndësishme social-ekonomike që shqetësojnë aktualisht botën, në prag të samitit që do të dominohet nga kritikat e perëndimit ndaj luftës ruse në Ukrainë.
Krerët e 20 ekonomive më të mëdha në botë, që përbëjnë 80 përqind të GDP-së globale, takohen në ishullin indonezian të Balit, ku shumë prej tyre, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, pritet të dënojnë publikisht Moskën për luftën. Por në një deklaratë të lëshuar në prag të samitit, ministria e Jashtme ruse tha se ishte tejet e rëndësishme që G20-a t’i përqendronte përpjekjet ndaj kërcënimeve reale, në vend të tyre imagjinare.
“Ne jemi të bindur se G20-ta është thirrur për t’u marrë me problemet socio-ekonomike. Zgjerimi i agjendës së saj në fushat e paqes dhe sigurisë nuk është produktiv dhe do të minonte atmosferën e besimit dhe bashkëpunimit në G20-të”,thuhet në deklaratë .
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të drejtojë delegacionin rus në samiti, pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se ishte shumë i zënë për të marrë pjesë. Më herët gjatë së dielës, Lavrov akuzoi perëndimin se po përpiqet të militarizojë Azinë Juglindore, duke hedhur kështu farat për një konfrontim të tensionuar gjatë samitit.
“Strategjia e Indo-Paqësorit e presidentit amerikan, Joe Biden, është një përpjekje për të shmangur“ strukturat gjithëpërfshirëse” për bashkëpunim rajonal dhe do të përfshinte “militarizimin e këtij rajoni me synimin e dukshëm të frenimit të interesave të Kinës dhe Rusisë në Azi-Paqësor”, deklaroi Lavrov.
Rusia ka thënë se kriza ushqimore globale do të jetë pjesë kyçe e agjendës në samitin e Balit që zhvillohet pak ditë para skadimit të marrëveshjes për eksportin e grurit në Detin e Zi, më 19 nëntor. Moska i kërkon perëndimit të lehtësojë disa prej sanksioneve, që siç thotë, bllokojnë eksportet jetësore të produkteve bujqësore dhe fertilizuese, dhe deri më tani ka refuzuar të angazhohet për zgjatjen e ujdisë.