Alqi Bllako me akuzë të re për inceneratorin e Elbasanit! Lista shtohet edhe me Mirel Mërtirin

2 Minuta Lexim

Pavarësisht se deri tani insistohet si nga ana e organit të akuzës, si nga mbrojtja e ish-deputetit, se Alqi Bllako akuzohet deri tani për abuzimet me incineratorin e Fierit, dokumenti i mëposhtëm, pjesë e dosjes hetimore për inceneratorin e Elbasanit, nxjerr për herë të parë dy emra, Bllakon dhe Mirel Mërtirin, ky i fundit bashkëjetuesi i Stela Gugalljas që ndodhet në kërkim.

Ata rrezikojnë të merren të pandehur edhe për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa SPAK ua ka vënë në dispozicion materialin hetimor avokatëve të Bllakos dhe Gugalljas.

Në dosje analizohen argumentet për abuzimet që janë bërë në këtë incenerator.

“Bazuar në dokumente të administruara gjatë hetimit provohet fakti dhe krijohet bindja se shtetasi Alqi Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit në bashkëpunim edhe me shtetasit Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonid Zeqo, Bardhul Çabiri, Serafin Pepa në cilësinë e anëtarëve të dhënies së koncesionit si dhe në bashkëpunim me shtetasin Lefter Koka në cilësinë e Ministrit të Mjedisit kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës të kryer në bashkëpunim”, thuhet në një pjesë të dosjes hetimore

Edhe për Mirel Mërtirin, Stela Gugalljen dhe Klodian Zoton thuhet se kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” si dhe “pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.

Sa u përket 24 kompanive fiktive përmes të cilave kryheshin transferta të dyshuara korruptive, SPAK ia ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Durrësit.

Sa u përket personave nën hetim, u janë lënë disa ditë kohë të grumbullojnë argumentet dhe pretendimet e tyre, përpara se dosja të kalojë në gjykatë për seancë paraprake.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull