Gjyqi i krereve te UCK nis ne 9 shkurt fazen finale

3 Minuta Lexim
Nga Bahri Cani-
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, fillon me 9 shkurt faza përfundimtare e procesit kundër ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Ata të katër, akuzohen për krime të rënda lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Por Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat nga aktakuza dhe pohojnë se janë të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë bërë këto krime midis muajit mars të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Gylata Speciale është themeluar nga Parlamenti i Kosovës pas akuzave të tmerrshme për trafikim të organeve njerëzore, që ka paraqitur senatori zviceran Dik Marty në raportin e tij në Këshilin e Evropës në vitin 2011.
Por në aktakuzë nuk ka asgjë nga këto akuza. Aktakuza thotë se të arrestuarit, akuzohen për krime lufte dhe vepra të tjera. Të akuzuarit janë në burg që nga nëntori i vitit 2020.
Prokuroria ka nxjerrë para gjykatësve provat e saja si dhe 125 dëshmitarë. Ndërsa dëshmitë e 117 dëshmitarëve janë dorëzuar me shkrim.
Nga ana tjetër edhe mbrojtja ka nxjerrë dëshmitë e saja dhe shumë dëshmitarë të njohur, ndër të cilët edhe gjenerali Welsey Clark, James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushët të ish-sekretares Allbight, pastaj diplomati Christopher Hill dhe të tjerë. Ata thanë se të akuzuarit nuk janë fajtorë për krime lufte, dr nuk janë terroristë dhe se UÇK nuk ka funksionuar si një organizatë me komandë të qartë.
Nga 9 shkurt deri më 12 shkurt palët do të paraqesin tani fjalët përfundimtare. Fillimisht do ta ketë fjalën prokuroria, pastaj ekipet e mbrojtësve të viktimave, e më pas nga data 11 shkurt do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse dhe e të pandehurve.
Më pas trupi gjykues do të ketë tre muaj kohë për të marrë vendimin, që do të thotë se vendimi pritet diku nga pjesa e dytë e majit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull