Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani: Emigrantët që vijnë me gomone punojnë në lavazh e ndërtim ose bëhen pjesë e grupeve kriminale

3 Minuta Lexim

Shqiptarët që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla po mbahen në “skllavëri borxhi” nga bandat kriminale dhe janë të detyruar të paguajnë koston e udhëtimeve në fermat e drogës, kanë thënë zyrtarët britanikë, raporton The Independent.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) vlerëson se gomonet janë bërë një alternativë më e lirë ndaj metodave të tjera, si ato me kamionë apo edhe me dokumente false, dominuese në të kaluarën.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, menaxheri i lartë i inteligjencës së NCA-së, Ged McCann tha se shqiptarët që mbërrijnë me varka të vogla zakonisht shkojnë ose në “ekonominë gri” informale, veçanërisht në ndërtim dhe lavazhe makinash, ose duke punuar për grupe të organizuara kriminale.

“Migrimi i paligjshëm po sjell efektivisht fuqinë punëtore për rritjen e kanabisit,” shtoi ai, duke theksuar se disa nga të arrestuarit kanë mbërritur disa ditë më parë me varka të vogla.”

McCann tha se bandat shqiptare po përshtatnin ofertën me kërkesën e “tregut të drogës” në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht për kokainën, dhe po rrisin dominimin e tyre në rritjen e kanabisit.

“Fermat e kanabisit shpesh janë të pajisura me emigrantë të paligjshëm në skllavëri borxhi,” shtoi ai.

Steve Brocklesby, një menaxher i inteligjencës NCA, tha se borxhi mund të krijohet ose kur bandat kriminale paguajnë një grup tjetër për kalimin e një personi në Kanalin Anglez, ose ata i detyrohen një ndërmjetësi pasi organizojnë vetë udhëtimin.

Brocklesby tha se shqiptarët që punojnë në tregjet e drogës fitojnë më shumë para sesa ata në punësim e parregullt ligjor në “ekonominë gri” dhe se fitimet e mundshme konsiderohen si një faktor tërheqës.

NCA vlerëson se qindra milionë paund në vit po largohen nga Britania për në Shqipëri , pjesa më e madhe nga sipërmarrjet kriminale dhe shuma po rritet.

Ndërkohë Andrea Wilson, zëvendësdrejtori i NCA-së përgjegjës tha se agjencia ka një “marrëdhënie shumë të fortë me organet e zbatimit të ligjit” dhe po kryen më shumë se 70 operacione të drejtpërdrejta në bandat e lidhura me shqiptarët në zona të ndryshme të krimeve të rënda.

“Është e rëndësishme të theksohet se jo i gjithë krimi i organizuar në Mbretërinë e Bashkuar dominohet nga shqiptarët,” tha ajo në konferencën për shtyp.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull