
Në ambientet e Ministrisë së Kulturës së Italisë, në Romë, para nje audience të gjërë, me pjesëmarrjen e botës mediatike dhe kulturore u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Gazetarinë Etike “Drita e së Vërtetës”, një vlerësim i rëndësishëm që nderon profesionalizmin, integritetin moral dhe guximin qytetar në ushtrimin e gazetarisë.
Ky çmim i kushtohet gazetarëve që, përmes punës së tyre, mbrojnë të vërtetën, interesin publik dhe standardet etike të profesionit, shpesh përballë presioneve politike, ekonomike dhe mediatike. Në këtë kuadër, laureat nga Shqipëria u shpall gazetari Aleksandër Çipa, i cili mbajti një fjalë të thellë reflektuese mbi sfidat e gazetarisë në shoqëritë në tranzicion dhe mbi domosdoshmërinë e kurajos morale në raportim.
- Duke falënderuar jurinë dhe organizatorët, Çipa theksoi se vjen nga një shoqëri ku fjala publike ka humbur peshën e saj, pasi i është cenuar kuptimi dhe misioni. Sipas tij, liria e shprehjes shpesh mbulohet nga frika, ndërsa raportimi profesional e analitik përballet çdo ditë me presione të shumëfishta, që nga telefonatat “miqësore” pa përmbajtje miqësie, e deri te trysnia politike, ekonomike dhe mediatike.
“Në këto kushte,” – u shpreh ai – “mbetet shumë pak mision për publikun dhe shumë për interesat e ngushta, grupore apo klienteliste.” Ky realitet, sipas Çipës, e bën edhe më aktual mesazhin e filozofit Sokrat, se një gazetari pa kurajë dhe pa sakrificë nuk ia vlen të ushtrohet.
“Kjo gjendje për profesionistët dhe qytetarët e shqetësuar, natyrshëm riaktualizon fjalën e Sokratit filozof të perifrazuar se; një gazetari pa kurajo dhe sakrifica nuk vlen të ushtrohet.
Sepse në shoqërinë aktuale ka më shumë zëra dhe pushtete të forta padrejtësie. Përballë tyre, përditë ne kërcënohemi me humbjen e vetvetes dhe të dijes”, tha ai.
Në një shoqëri ku, siç tha ai, ka më shumë zëra dhe pushtete të forta padrejtësie, gazetari profesionist kërcënohet çdo ditë me humbjen e vetvetes, të dinjitetit dhe të dijes. Përballë këtij realiteti, mbajtja e standardeve etike dhe e përgjegjësisë publike shndërrohet në akt rezistence qytetare.
Duke e cilësuar çmimin si më shumë sesa një nder personal, Çipa e vlerësoi atë si dëshmi se edhe në Shqipëri ekzistojnë zëra profesionalë dhe ndërgjegje vepruese që dallohen dhe respektohen nga komuniteti ndërkombëtar. “Ky çmim është provë se kolegët dhe vlerësuesit nga vende të tjera, sikundër edhe anëtarët e kësaj jurie, dinë të veçojnë zërin e së vërtetës dhe të ndërgjegjes,” – theksoi ai.
Ceremonia në Romë u shndërrua kështu në një moment reflektimi mbi rolin e gazetarisë në shoqëritë bashkëkohore dhe mbi përgjegjësinë e madhe që mbart ky profesion për ruajtjen e demokracisë, transparencës dhe dinjitetit njerëzor.


