Çfarë ndodh pas largimit të Prodës. Si do të zgjidhet drejtori i ri

2 Minuta Lexim

Nga Igli Çelmeta-

Sipas ligjit për Policinë e Shtetit Ministria e Brendshme duhet të hapë garën për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili duhet të zgjidhet me konkurs. Ministria e Brendshme shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit qëndron e hapur për 7 ditë.

Ministria e Brendshme përcakton në thirrje adresën e postës elektronike, si dhe adresën postare në të cilën aplikantët dorëzojnë shprehjet e interesit. Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Nëse është e nevojshme, Komisioni kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike, apo punëdhënësit të kandidatit.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit.

Procesi i verifikimit të përmbushjes së kritereve dhe i vlerësimit të kandidatëve bëhet nga

Komisioni i Posaçëm, me përbërjen si vijon:

a) Një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm, kryetar;

b) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, anëtar;

c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, anëtar.

Komisioni cakton datën dhe orën e seancës dëgjimore. Seanca për secilin kandidat mbahet në praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Komisionit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull