NATO: Shpërthimi në Poloni ishte rikoshet, por prapë faji i ngelet Rusisë

3 Minuta Lexim

Nuk është i nevojshëm aktivizimi i nenit 5 të Traktatit të NATO-s, por fajin e ka Rusia, bëhet e ditur pas mbledhjes së ambasadorëve të NATO-s

NATO fajëson Rusinë për sulmin me raketa në Poloni, por e sheh shkakun në një rikoshet të një rakete ukrainase. “Ne nuk kemi asnjë provë se ky ishte një sulm i qëllimshëm,” tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg pas një takimi urgjent të Këshillit të NATO-s, të mërkurën, në Bruksel.

Por ajo që ne dimë është se arsyeja e vërtetë e incidentit është lufta ruse në Ukrainë”. Hetimet nuk janë përmbyllur, por ka shumë të ngjarë që të ketë qenë një raketë kundërajrore ukrainase që ka rënë aksidentalisht në territorin polak. “Por ky nuk është faji i Ukrainës”.

Stoltenberg theksoi se ishte mjaft i shqetësuar për incidentin e së martës në mbrëmje. Por shtoi se është bërë gjithashtu e qartë se “NATO është e gatshme të veprojë me qetësi dhe vendosmëri.

Stoltenberg nuk donte të jepte asnjë detaj në lidhje me hetimin, për shembull nëse kishte qenë në atë moment edhe ndonjë raketë ruse afër vendit të ngjarjes. Por shtoi se në përgjithësi, incidenti tregon se lufta e agresionit rus krijon “situata të rrezikshme”.

Por NATO është e përgatitur për incidente të tilla”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm. Goditja e raketës në territorin e shtetit të NATO-s të Polonisë fillimisht shkaktoi frikën se do të ishte nevoja e aktivizimit të nënti 5 të Traktatit të NATO-s. Në bazë të këtij neni, e gjithë aleanca ndihet e sulmuar nëse preket vetëm njëri nga 30 shtetet anëtare.

Gjermania i ofron ndihmë Polonisë

Siç bëri të ditur të mërkurën, 16.11. ’22, në Berlin, zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes, Christian Thiels, Gjermania i ka ofruar Polonisë ndihmë në vëzhgimin e hapësirës ajrore.  “Kjo mund të fillojë qysh nesër, nëse e dëshiron Polonia”, tha Thiels në Berlin në konferencën e rregullt për shtyp të qeverisë federale.

Ndihma synon të forcojë patrullimin ajror me avionë gjermanë Eurofighter:  “Avionët nuk duhet të zhvendosen në Poloni për këtë. Patrullat mund të kryhen nga bazat e forcave ajrore gjermane”, tha zëdhënësi i ministrisë.

Sipas presidentit lituanez Gitanas Nauseda, goditja e raketës në Poloni nuk e ndryshon nivelin e kërcënimit ushtarak. Por ai tregon se nevojitet sa më shpejt vendosja e sistemeve kundërajrore në krahun lindor të NATO-s. “Lituania do të mbështesë në mënyrë aktive përdorimin e mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit polako-ukrainas.” Kjo vlen edhe për pjesën tjetër të krahut lindor.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull