Presidenca e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur së fundmi në debatin publik, ku është bërë thirrje për “pushkatimin” e presidentes Vjosa Osmani.

 

Në reagimin e saj, Presidenca thekson se Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Sipas Presidencës, mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime.

“Presidentja Osmani nuk është ‘vegël’ e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për kinse tradhti. Ajo është presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës. Ata që sot flasin për ‘tradhti’ dhe ‘pushkatim’ dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, Kosova ka paguar shumë për lirinë e saj që të tolerojë sot gjuhë linçuese ndaj institucioneve të saj.  “Kushdo që mendon se mund ta frikësojë një presidente me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike”, thuhet tutje në reagim.

Në fund, Presidenca u bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe t’i trajtojnë ato në përputhje me ligjin.

Në reagim nuk janë permendur personat ose rastet ku është bërë thirrje e tillë ndaj Osmanit.