Rubio: Armët e destinuara për Ukrainën mund të shkojnë në Lindjen e Mesme

2 Minuta Lexim

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të përdorin armë të destinuara për Ukrainën për qëllime të tjera.

“Nëse Shtetet e Bashkuara kanë një nevojë ushtarake, qoftë për të rimbushur rezervat tona apo për të përmbushur ndonjë mision në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ne gjithmonë do të jemi të parët”, tha sot Rubio.

Komentet e tij erdhën pas bisedimeve midis ministrave të Jashtëm të G7-s, pranë Parisit.

Në të njëjtën kohë, Rubio theksoi se deri më tani nuk janë devijuar armë – por kjo nuk përjashton mundësinë që kjo të ndodhë në të ardhmen.

Më parë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul kishte paralajmëruar se mbështetja për Ukrainën po vazhdonte të dobësohej për shkak të luftës me Iranin.

“Nuk duhet të ketë kompromise kur bëhet fjalë për ruajtjen e aftësive mbrojtëse të Ukrainës”, tha ai, duke shtuar se kjo do të ishte vetëm në favor të udhëheqësit të Kremlinit, Vladimir Putin.

Më parë, gazeta ”The Washington Post” kishte raportuar, duke cituar disa burime të paidentifikuara, se Pentagoni po shqyrtonte nëse armët e destinuara fillimisht për Ukrainën duhet të devijoheshin në Lindjen e Mesme, pasi lufta me Iranin po shteronte rezervat e ushtrisë amerikane.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull