Kadare ne mospelqim te sinqerte apo xhelozi me Kutelin

4 Minuta Lexim

Nga Ervin Nezha-

Ismail Kadare ka pasur përherë një indiferencë të kamufluar ndaj Mitrush Kutelit si shkrimtar. Por sa herë që i është dashur të përmendë Kutelin, qoftë për arsye historike të proceseve letrare të letërsisë shqipe, qoftë edhe për rëndësinë e prozës së Mitrush Kutelit, është kujdesur ta quaj përherë, jo Mitrushi, jo Kuteli, jo Mitrush Kuteli por “Shkrimtari Mitrush Kuteli”. Pra emrin ia përdorte si një ndajshtim, jo pa qëllim mendoj, por si një homazh, se Mitrush Kuteli nuk ishte një njeri që merrej me letërsi, por qe një shkrimtar i vërtetë.
Kush ka parë filmin Radiostacioni, me regji të Rikard Larjes dhe skenar të I. Kadare, nuk ka se si të mos gjej ngjashmëri ndërmet shkrimtarit Adrian Guma dhe Mitrush Kutelit. Personazhi i Adrianit në film, përfaqëson shkrimtarin, vepra e të cilit, nuk ka asnjë lloj filozofie politike. Kjo i jep mundësi shkrimtarit ta maskojë veprën edhe në sistemin e ri politik që po vendoset. Por drama e tij është e brendshme dhe ai vetë refuzon ta amnistojë veprën e vet dhe përfundon simbolikisht i vetëvrarë. Dhe ky menjanim jepet i qartë edhe në karakterin e shkrimtarit Guma. Kuptohet që “Radiostacioni” është një vepër që i përket soc realizmit, që shkrimtarin e projektonte si punonjës të specializuar për të ndërtuar “njeriun e ri.” Kadare tenton aty, që veprën e Kutelit ta quaj të tejkaluar. Këtë manipulim ai e bën edhe për faktin se mjedisi kulturor i ndërtuar mbi dogmat soc realiste, e favorizonte këtë manipulim. Sot, kjo mund të përkthehet edhe si mospëlqim i sinqertë por edhe si xhelozi. Dhe të dyja rastet, sido që të jetë janë krejt normale. Po flasim për dy nga zërat narratorë më të fuqishëm të letërsisë shqipe. Situata të tilla janë krejt normale edhe në botë. Mos të harrojmë dhe për të dhënë një shembull nga letërsia britanike; se Xhojsi nuk e pëlqente Dikensin pasi mendonte se ishte një shkrimtar i talentuar në krijimin e personazheve dhe situatave të gjalla, por shpesh e kritikonte për stilin sentimental dhe moralizues. Sipas Xhojs, Dikens i thjeshtonte shumë konfliktet njerëzore dhe mbështetej tepër te emocioni për të ndikuar lexuesin. Kjo, për të thënë se ndjenjat që kanë shkrimtarët për njeri – tjetrin janë përherë të trazuara dhe misterioze. Megjithatë koha është e pamëshirshme. I parë sot, filmi “Radiostacioni”, në një periudh tjetër, gjithçka merr trajtën e negativit të filmit. Ajo që ishte me ngjyra bëhet bardhezi. Dhe pyetja që ngrihet është; a duhet vërtet që letërsia të jetë një produkt i dobishëm, në kuptimin që lexuesi të dijë se përse i duhet ajo që lexon? Modernizmi sipas modeleve të Kamy, Sartër, Beket, Xhojs e përjashton krejt këtë absurditet. Gjërat e bukura janë pikërisht ato që nuk shërbejnë për asgjë. Ndaj simbolikisht, në rastin e Radiostacionit, “vetëvrasja” nuk i takon personazhit, por autorit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull