Nga Aleksander Çipa-
Dekada e fundit e ka përcaktuar Kinën si aktore që përcakton ritmin global të zhvillimit teknologjik. Vendosjen e saj në një rol të tillë e përcaktojnë transformimet e infrastrukturës digjitale, kalimet në platformat e mëdha të zhvillimit teknologjik dhe zhvillimi progresiv i inteligjencës artificiale. Ky vend po ndërton një model të rrallë, ku inovacioni i shpejtë bashkëjeton me një rregjim të fortë rregullator.
Ky aspekt i fundit, dëshmon një tipar: atë të dualitetit: avangardë teknologjike dhe rregullim progresiv. Ky tipar e afirmon ekonominë kineze si kryesuese, por njëkohësisht edhe dimensionon debatin ndërkombëtar mbi të ardhmen e IA-së.

Mendimi shkencor dhe zhvillimi praktik e ndustrial në Kinë, kanë lëvizur, në harkun kohor të kësaj dekade, në mënyrë strategjike, në kërkim dhe gjetje, duke e bërë IA-në prioritet vizionar kombëtar.
Është krijuar tashmë një kurorë kompanish: si Baidu, Alibaba Group dhe Tencent etj, të cilat kanë ndërtuar ekosisteme të fuqishme në cloud, big data dhe shërbime inteligjente. Ndërsa aktorë të rinj teknologjikë si SenseTime dhe Megvii janë specializuar në fusha si vizioni kompjuterik dhe njohja e fytyrës.
Këto zhvillime janë të lidhura ekzistencialisht me tregun e brendshëm gjigant, me operatorë rajonalë dhe ndërkombëtarë si dhe me tregje të etura ku gëlojnë sasi të mëdha të dhënash, që ushqejnë algoritmet dhe përshpejtojnë inovacionin në krejt hapësirën dhe territorin e tregtisë digjitale.
Ndërkohë që integrimi i IA-së në sektorë si transporti, financat dhe shëndetësia, jo vetëm që është kryer me ritëm habitës, por ka zhbërë edhe hartën e trashëguar të konkurrencës, duke e krijuar krejt të ndryshme strukturalisht, aktualen.
Ky ritëm kaq intensiv zhvillimi nuk ka krijuar vetëm një narrativë administrimi apo kontrolli, por përkundrazi, siç dëshmojnë operatorët, por sidomos autoritetet kontrolluese të tregjeve të këtij sektori dhe zhvillimeve socio-industriale, edhe një narrativë rregullimi si instrument strategjik.
Vihet re qartazi se është shmangur narrativa frenuese e rregullimit dhe po aplikohet një metodologji që bashkëshoqëron zhvillimin teknologjik me kontrollin rregullues.
Ligje si Personal Information Protection Laë dhe Data Security Law, Dispozitat mbi Administrimin e Sintezës së Thellë të Shërbimeve të Informacionit të Bazuara në Internet në vitin 2022 apo sipërmarrje të tjera rregulluese, flasin për angazhim serioz shtetëror në Kinë.
Kësi nismash rregulluese vendosin korniza të qarta për mbledhjen, ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave, por njëkohësisht kanë vlerën e infrastrukturës ligjore rregulluese për mos-shkaktim pasojash sociale dhe më gjerë.
Në fushën e IA, rregulloret për algoritmet dhe përmbajtjet e gjeneruara prej kësaj inteligjence, kanë nevojë për masa rigoroze rregulluese transparence, etike, përgjegjësi dhe sidomos ruajtje prej pasojave të platformave.
një model i inteligjencës artificiale kineze, DeepSeek prezanton modelin e ri të startup-it të saj dhe vërteton përsëri se është një konkurrent i fortë global në në teknologjinë e inteligjencës artificiale – 4 maj 2026.
Adresimi i rreziqeve dezinformuese, manipulimeve, abuzimit dhe sidomos pasojave mbi të dhënat personale, janë përgjegjësi e shtetit dhe si të tilla, duhen parandaluar përmes rregullimeve. Për këtë duhet respektuar me vizion, parimi i balancës mes kontrollit dhe inovacionit. Shteti ka për nevojë të promovojë inovacionin, por paralelisht ka detyrimin të ruajë kontrollin e fortë mbi drejtimin dhe përdorimin e teknologjisë.
Politikisht dhe ligjërisht kompanitë që posedojnë zhvillimin teknologjik, duhet të mbahen nën pushtetin rregullues dhe këtë atribut e mbart vetëm shteti. Ky është një problem të cilin ekspertët ndërkombëtarë po e paralajmërojnë si një risk në arealin botëror të procedimeve dhe zhvillimeve inovative dhe lëminë e IA.
Mes lirisë dhe kreativitetit afatgjatë, kritikët shohin riskun e kufizimeve. Për këtë arsye ata theksojnë se rregullimi i hershëm, parandalon dhe eviton kriza apo pasoja si abuzimet, destabilizimin social apo goditje të tjera.
Modeli avanguardist në sferën e IA të Kinës, po ndiqet jo vetëm me interes, por edhe me rivalitet të heshtur prej fuqive të tjera ndërkombëtare, kryesisht SHBA, apo vendeve që e kanë përcaktuar si prioritet të financueshëm sidomos në tre apo katër vitet e fundit. Eksportimi i këtyre modeleve ka përmbysur jo vetëm tabu teknologjizimi, por edhe ka ripërcaktuar strategjikisht prioritetet e afërta në kohë të ekonomive dhe rivaliteteve zhvillimore.
Mes tri kontinenteve, përkatësisht Azisë, Europës dhe SHBA, në këtë aspekt vihet re se modeli kinez ofron një alternativë më rregulluese dhe të kontrolluar, ndërsa tek Europa dhe SHBA, qasja paraqitet më liberale.
Prej këtij realiteti spikat tashmë fakti se Kina, këtë eksportim e bashkëshoqëron edhe me standarde dhe praktika rregulluese dhe rregullatore parandaluese. Ndonëse duhet thënë se ekosistemi ndërkombëtar I IA, së afërmi ka për të qenë i pasur me modele të ndryshme të ndikuara edhe nga vlera politike edhe kulturore.
Më 2 maj 2026, Parada e Madhe e IA-së “Mirë se vini në Botën e IA-së” u mbajt në Distriktin Gongshu të qytetit Hangzhou, ku qytetarët dhe turistët përjetuan një karnaval teknologjik.
Avangarda teknologjike e Kinës dhe rregullimi progresiv i IA-së nuk janë procese të ndara, por pjesë e një strategjie të integruar. Duke mundësuar kombinimin e inovacionit të shpejtë me kontrollin institucional, Kina është në rrugën e ndërtimit të një modeli të rëndësishëm të zhvillimit teknologjik.
Dilema më e rëndësishme për ardhmërinë mbetet: a do të arrihet që të funksionojë në perspektivë balanca mes dinamizmit inovativ dhe moskufizimit të potencialit krijues? Përgjigjja për këtë, nuk ka të bëjë vetëm me Kinën, por me të gjithë botën, e cila në masën më komplekse po përballet me sfidat dhe mundësitë e inteligjencës artificiale.

