Procesi gjyqësor i shumëpërfolur mes Elon Muskut dhe Sam Altmanit ka zbuluar prapaskena të reja mbi mënyrën se si është zhvilluar OpenAI, ndërsa çështja ka hyrë këtë javë në fazën e tretë.

Sipas reuters, avokatët e Muskut kanë paraqitur prova të ndryshme, përfshirë mesazhe private, email-e dhe dëshmi ish-zyrtarësh të kompanisë, me qëllim që të paraqesin Altman si një udhëheqës të paqëndrueshëm dhe të pasigurt në vendimmarrje.

Një nga dëshmitë kryesore ishte ajo me video e Mira Muratit, ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, e cila u largua në vitin 2024. Ajo deklaroi në gjykatë se Altman kishte krijuar “kaos” brenda kompanisë dhe përdorte një stil komunikimi kontradiktor.

Sipas Muratit, Altman shpesh “i thoshte një gjë një personi dhe krejt të kundërtën një tjetri”, gjë që sipas saj ka shkaktuar pasiguri dhe tensione të vazhdueshme në menaxhimin e kompanisë.

Gjykata shqyrtoi gjithashtu mesazhe të vitit 2023, kur Altman ishte shkarkuar përkohësisht nga posti i CEO-s. Në komunikimet me Muratin, ai kërkonte informacion mbi vendimin e bordit, ndërsa ajo i ishte përgjigjur se situata ishte “shumë e keqe”.

Akuza të ngjashme janë ngritur edhe nga ish-anëtarë të tjerë të bordit. Helen Toner ka folur për një “model shqetësues të mungesës së ndershmërisë”, ndërsa Natasha McCauley ka thënë se Altman ka shkaktuar “kriza të përsëritura” brenda OpenAI.

Në proces është dëgjuar edhe bashkëthemeluesi i kompanisë, Ilya Sutskever, i cili ka shprehur shqetësime për stilin e udhëheqjes së Altman dhe transparencën e tij.

Ndërkohë, Sam Altman i ka mohuar të gjitha akuzat e Elon Musk dhe pritet të dëshmojë në ditët në vijim. Çështja gjyqësore lidhet me pretendimet e Musk se OpenAI është larguar nga misioni fillestar jofitimprurës dhe është shndërruar në një strukturë fitimprurëse. /Telegrafi/