Lëvizja Shqiptare për Pavarësi: Politika, Kryengritjet dhe Diplomacia (1908-1912)

10 Minuta Lexim

Nga  Prof. dr. Hamit Kaba

Monografia e Prof. Ethem Çekut që po promovojmë sot, Lëvizja Shqiptare për Pavarësi: Politika, Kryengritjet dhe Diplomacia (1908-1912) shënon botimin më të fundit të Por Prof. Çekut. Gjatë rrugëtimit të tij të gjatë si historian Ethem Çeku ka shkruar e botuar shumë libra, në gjuhën shqipe, por në gjuhën angleze. Studimet e Prof. Çekut merren me historinë e shqiptarëve në shekujt  XIX-XX dhe veçanërisht historinë  moderne të Kosovës.

Monografia, Lëvizja Shqiptare për Pavarësi: Politika, Kryengritjet dhe Diplomacia (1908-1912), përfaqëson një studim të mirëstrukturuar dhe të mirë menduar të procesit të shtetetformimit të shqiptarëve, të ngritur mbi shtratin e botimeve e mëparshëm dhe botimeve të  vetë autorit për Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Në dallim nga qasjet tradicionale që e kanë trajtuar këtë periudhës si epilog apo proces të natyrshëm përmbyllës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, autori e ka parë atë si moment krize të shumëfishtë: në radhë të parë të Perandorisë Osmane, krizë të ekuilibrave ballkanikë e evropianë, por edhe si krizë të brendshme të elitës politike shqiptare.

Libri dallohet për sensin kritik, ku spikasin përpjekjet për t’u çliruar nga emocionet patriotike, ideologjike e fetare dhe nga tradita viktimizuese-fenomen i shfaqur jo vetëm tek shqiptarët, që e kërkonte ‘fajin’ jashtë vetes, tek fqinjët ballkanikë, tek Fuqitë e Mëdha, apo tek përqafimi i fesë islame. Autori është kritik ndaj elitës shqiptare, ndaj vonesës dhe vizioneve të saj për ndërtimin e shtetit kombëtar, ndaj hezitimeve objektive e subjektive të saj dhe të shoqërisë shqiptare për tu ndarë nga shteti osman që po shembej. Veçanërisht kritik autori është shfaqur ndaj pjesëmarrjes së elitës politike shqiptare në parlamentin osman në vitet 1910 -1912 dhe ndikimit të saj në një lloj ngadalësimi të procesit të ndarjes nga Perandoria Osmane.

Vepra analizon në mënyrë të qartë procesin dhe dinamikën e kalimit të Rilindjes Kombëtare nga projekti autonomist, brenda strukturave perandorake në projektin për pavarësinë e Shqipërisë. Autori nuk e analizon këtë kalim si rrjedhojë e determinizmit historik, por si rezultat i rrethanave të veçanta dhe ndërveprimit të tyre. Versionet e një autonomie të gjerë brenda Perandorisë Osmane, i një koalicioni me xhonturqit ose shpallja e hershme e pavarësisë nuk trajtohen si hipoteza, por si dilema reale të aktorëve të kohës.

Autori ka trajtuar me realizëm dhe gjakftohtësi raportet e shqiptare me turqit e rinj, kalimin nga shpresat tek zhgënjimet e mëdha, që kulmuan me kryengritjet e shqiptarëve  në vitet 1908-1912, që sollën ndarjen jo pa dhimbje për klasën politike shqiptare,  të lindur e rritur në Perandorinë osmane. Në libër shpjegohen me qartësi e realizëm arsyet e ndarjes së shqiptarëve me perandorinë osmane, si rezultat i politikës osmaniste nacionaliste dhe centralizuese të xhonturqve, të cilët donin të ruanin e modernizonin të ‘sëmurin e Bosforit’, duke i përdorur shqiptarët për interesat e tyre. Autori arrin në konkluzionin e drejtë se udhëheqja e lartë osmane e perandorisë, nuk i kuptoi dhe nuk i mbështeti shqiptarët në rrugën e tyre drejtë pavarësisë dhe nuk e njohu shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, ndonëse për shkak të pafuqisë dhe armiqësisë së krijuar gjithandej në Ballkan, më në fund  u detyrua të pranonte një realitet të imponuar.

Prof. Çeku ka trajtuar rëndësinë dhe përpjekjet e mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në këto vite, për shkollën dhe arsimimin shqip, si një problem esencial për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Në rrethanat kur shqiptarët i përkisnin tri besimeve fetare, gjuha shërbente si amalgamë që i bashkonte pa hezitime e mëdyshje shqiptarët. Lufta për gjuhën dhe alfabetin u bë mjet ekzistencial për nacionalizmin shqiptar e cila pati dëshmorët e vet, pavarësisht besimeve. Pas një faze shpresash turqit e rinj u kthyen kundër kërkesave të shqiptarëve. Thyerja e madhe me xhonturqit ndodhi për shkak mosnjohjes së kombësisë shqiptare dhe të drejtës së tyre për tu shkolluar në gjuhën amtare. Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe ishte elementi esencial për ekzistencën dhe njohjen e kombit shqiptar. Për shqiptarët gjuha shqipe nuk ishte thjesht problem kulturor, por para se gjithash problem politik, për krijimin e shtetit kombëtar. Gjuha shqipe u bë promotori i zhvillimit të identitetit kombëtar te shqiptarët. Për këtë qëllim autori ka analizuar  Kongresi i parë dhe të dytë të Manastirit, Kongresin e Elbasanit dhtë i Dibrës.

Një nga kontributet më të rëndësishme të monografisë është analiza e strukturës së elitës politike e kulturore shqiptare. Autori e paraqet atë jo si trup homogjen dhe me vizion unik, por si një bashkësi me orientime të ndryshme në trajtën e decentralistëve, autonomistëve, federalisteve, pragmatistëve diplomatikë dhe radikalëve. Procesi përafrues dhe harmonizues i vizioneve të kësaj elite është analizuar përmes ngjarjeve konkrete në dinamikën e tyre. Në libër u është kushtuar vëmendje raporteve ‘delikate’ si i quan me të drejtë autori, mes disa personaliteteve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me Serbinë e Malin e Zi gjatë kryengritjeve antiosmane. Autori i ka trajtuar me maturi e relativizëm këto përpjekje sporadike, të cilat nuk i ka anashkaluar, por i ka e dokumentuar.

Një tjetër vlerë e rëndësishme e librit qëndron në trajtimin e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912 si proces i vazhdueshëm i konsolidimit politik të Lëvizjes Kombëtare. Autori analizon në mënyrë të hollësishme organizimin e revoltave dhe të kryengritjeve, rolin e udhëheqësve lokale në to, shtrirjen gjeografike të kryengritjes dhe kalimin gradual nga kërkesa lokale në kërkesë të artikuluar për autonomi dhe më pas pavarësi kombëtare. Vepra evidenton me kujdes ndërthurjen e faktorëve të brendshëm shqiptarë me zhvillimet ndërkombëtare që ndikuan në përfundimin e sundimit osman në hapësirën shqiptare.

Një komponent i rëndësishëm i këtij studimet është analiza e rolit të diplomacisë austro-hungareze dhe italiane. Autori argumenton se pavarësia e Shqipërisë është rezultat i aspiratave kombëtare të shqiptare dhe i kalkulimeve strategjike të Fuqive të Mëdha. Autori është përpjekur që të shmangë interpretimet që e shohin mbështetjen ndërkombëtare si akt filantropik; përkundrazi ai e shpjegon atë si pjesë të rivaliteteve për kontrollin e Adriatikut dhe balancimin e ndikimit rus dhe serb në Ballkan. Politikat e Austro-Hungarisë dhe roli i saj si katalizator për shpalljen e pavarësisë në kohën dhe momentin e duhur, përmes ngjarjeve dhe figurave konkrete historike janë trajtuar me seriozitet dhe maturi.

Vlerë të padiskutueshme të këtij botim, do të konsideroja pa mëdyshje gjuhën e qartë akademike dhe pa teprime retorike të autorit, si dhe strukturën organike monografisë. Por unë do të theksoja në mënyrë të veçantë burimet e shumta arkivore dhe literaturën. Rrallë gjen botim të si ky i Prof. Ethem Çekut që të ketë  shfrytëzuar pa paragjykime burimet arkivore e bibliografike shqiptare, serbe, malaziase, turke, greke, britanike, franceze etj. të cilat i kanë dhëne studimit një dimension tjetër. Pasuria burimore ka krijuar mundësinë jo vetëm për të ofruar këndvështrime e qasje të tjerëve, por edhe për të evidencuar më mirë veçoritë e lëvizjes kombëtare shqiptare në vitet 1908-1912.

Në këtë vepër, Ethem Çeku ofron një analizë kritike të proceseve politike që shoqëruan konsolidimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe themelimin e shtetit shqiptar. Autori shqyrton me rigorozitet veprimtarinë e aktorëve politikë të kohës, duke analizuar strategjitë dhe instrumentet politike e diplomatike të përdorura prej tyre. Një vëmendje e veçantë i kushtohet përpjekjeve për sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare dhe ndërtimin e aleancave që do të favorizonin realizimin e aspiratave kombëtare shqiptare. Në këtë kontekst, Çeku mban një qëndrim kritik ndaj vendimeve dhe orientimeve politike të protagonistëve, duke evidentuar kufizimet dhe pasojat e tyre në zhvillimet e mëvonshme. Përmes një qasjeje analitike dhe të mbështetur në burime historike, autori kontribuon në një kuptim më të thellë të sfidave që shoqëruan procesin e formimit të shtetit shqiptar.

Monografia e Ethem Çekut Lëvizja Shqiptare për Pavarësi: Politika, Kryengritjet dhe Diplomacia (1908-1912) është një studim i thelluar, i cili riformulon e sjell në një nivel më të lartë problemin e pavarësisë së shqiptarëve dhe  e shikon atë si pjesë të procesit të krijimit të shteteve në Evropë. Viti 1912 për autorin nuk është fundi i një trajektoreje të paracaktuar, por mbarim një procesi kontradiktor, të vështirë, që u arrit në kushte e rrethana konkrete.

Monografia përfaqëson një arritje për autorin dhe historiografinë bashkëkohore shqiptare, një dëshmi të pjekurisë së tij shkencore e metodologjike. Libri i tij u shtohet botimeve më të suksesshme të shkruara për këto vite nga autorë shqiptarë e të huaj.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull