Qytetarë të shumtë edhe këtë të mërkurë kanë marrë pjesë në protestën e radhës para Kryeministrisë. Grumbullimi si zakonisht nisi në orën 19:00 teksa sot shënohet dita e 32-të që qytetarët dalin në protestë në kryeqytet.
Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar. Ashtu si në protestat e ditëve të mëparshme, protestuesit pas grumbullimit në sheshin “Skëndërbej” nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës ata shprehën kërkesat e tyre dhe më pas vijuan me marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Protestuesit kanë njoftuar se nesër do të zhvillojnë edhe një protestë tjetër para Parlamentit. Protesta do të nisë në orën 10:00 ku do të mbahet seanca plenare.
Të martën u zhvillua një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.
Punonjësit e policisë arrestuan disa persona për shkak të këtyre incidenteve. Gjithashtu protestuesit hodhën akuza dhe bënë thirrje kundër deputetëve. Ata hodhën edhe vezë në drejtim të mjeteve të tyre.
Pak ditë më parë, organizatorët gjithashtu bënë publike kërkesat e tyre kryesore, mes të cilave përfshihen dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

