Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një kohë filloi t’ia ndryshojë emrin propozimit që fillimisht u njoh si franko-gjerman, e më shumë ta quajë si propozimi i BE-së, meqë siç kishte shpjeguar zëvendësi i tij, Besnik Bislimi në një intervistë, “evropianët po bëhen nervozë nëse i themi franko-gjerman, sepse është propozimi i tyre”.
Tani kryeministri i Kosovës i është kthyer emrit të vjetër franko-gjerman dhe për më tepër, thotë se këtë plan po e refuzon Josep Borell.
“Borrell, me keqardhje e them, e braktisi propozimin franko-gjerman, duke kërkuar një dakordim për targat”, theksoi Kurti në një prononcim për gazetarë.
“SHBA-ja sidomos ambasadori Hovenier është i angazhuar dhe unë e falënderoj për këtë. Roli i tij gjithmonë pozitiv dhe konstruktiv. Tash ai po i bën përjekjet maksimale dhe janë në kontakt me Brukselin që prej se përfundoj takimi i fundit në kuadër të bisedimeve”, shtoi ai.
Por, pas takimit të djeshëm tetorësh në Bruksel, ku kryediplomatin evropian Josep Borell bëri fajtor Kurtin për jo konstruktivitet e Kurti bëri fajtor Borellin për heqje dorë nga marrëveshja e përgjithshme me Serbinë, gjërat kanë ndryshuar shpejt.
“Nuk mjafton dakordimi për targat, ndonëse aty unë kam qenë dakord që faza e dytë e zbatimit të vendimit të pezullohet në kërkim të një zgjidhje sa i përket normalizimit të marrëdhënieve deri në marsin e vitit 2023, ti japim shans”, shtoi ai.
Të hënën, Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.
Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.
Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.
“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.
Ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.
“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Hovenier.
Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.
Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.
Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.
Vuçiç është pajtuar me propozimin.
Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.
Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.