Dr. Jul Koliqi i përket brezit të kirurgëve, që, me përkushtim maksimal, ndërmorën përgjegjësinë e ngritjes të Kirurgjisë shqiptare, duke mbetur një autoritet i shquar në figurat e vyera të Mjekësisë Shqiptare…
Pak histori…
Fisi Koliqi është vendosur në Shirokë rreth viteve 1700. I pari i fisit quhej Mark, ndërsa i biri Kolë, prej të cilit ka rrjedhur llagapi, fillimisht “Kolaj”, por nga qëndrimi i shpeshtë në Mal të Zi, u shndrrua në “Koliqi”. Në Shkodrën e shekullit të 19-të dhe fillim shekullit të 20-të, fisi Koliqi tashmë ishte një familje e dëgjuar qytetare shkodrane. Në degën e fisit “Zef Pjetër Koliqi”, shquhet mjeku-kirurg Jul Zef Koliqi.
Kirurgu…
Jul Koliqi u lind në Shkodër më 14.02.1913. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, në Kolegjin Saverian, ku dallua për rezultate shëmbullore, po ashtu edhe në aktivitete të ndryshme kulturore në atë periudhë, ndër të tjera pjesëmarrja në shfaqjet teatrore të organizuara nga ky Kolegj.
Jul Koliqi është pjesëmarrës në dramën “Nji familje fatosash”, shfaqur më 1925,në dramën me 3 akte “Shpata e Skënderbeut”, ose “Ballaban Pasha”, shkruar nga Anton Xanoni, shfaqur në Shkodër në vitet ’30 (1927, 1928); në dramën mesjetare “Lundërtari i Mordës” të Ch.Roy Villars, shfaqur në shkurt 1933 në sallonin e Kolegjit Saverian.
Në vitin 1936 Juli nisi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Padovës (Itali). Pas diplomimit, u specializua në fushën e Kirurgjisë në Institutin e Lartë të Bolonjës, ku spikati pasioni dhe talenti i kirurgut të ri.
Më 1943 Jul Koliqi kthehet në Shqipëri dhe nisi karrierën si kirurg-asistent në Spitalin Civil të Shkodrës, ku pati fatin, siç ai gjithnjë shprehej, të punojë përkrah kirurgut të shquar dr. Frederik Shiroka, dashurinë dhe respektin për të cilin i ruajti deri në fund të jetës.
Më 1946 transferohet në Tiranë, në Spitalin Ushtarak, ku, së bashku me kolegë të tij, kontribuoi në organizimin me baza shkencore të Kirurgjisë dhe Kirurgjisë Ushtarake në veçanti, çka, më 1951, u konkretizua me ndërhyrjet e para në Kirurgjinë Torakale dhe, më 1952, në ndërhyrjet e para në zemër.
Më 1956 dr. Jul Koliqi emërohet shef i Shërbimit të Kirurgjisë në Spitalin Ushtarak, detyrë që e kreu me përkushtim deri në fund të karrierës.
Gjatë veprimtarisë së tij, dr. Juli operoi qindra e qindra pacientë, u shqua për korrektësi, profesionalizëm, dinamizëm dhe guxim në kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke qenë
përherë i gatshëm pranë pacientëve dhe spitalit. Ishte specialist me erudicion të madh dhe formim poliedrik. Ishte autoritet në fushën e Kirurgjisë ushtarako-abdominale, me rezultate të larta mjekimi. Aktiviteti profesional i dr. Jul Koliqit ishte një shkollë e përgatitjes së kirurgëve të rinj.
Në fillim të viteve 1980, kur një dashamirës e pyeti se ç’vlerëson në arritjet në profesionin e tij, dr. Juli iu përgjigj thjesht dhe me krenari: “Në të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale që kam bërë, nuk kam patur asnjë rast infeksionesh post-operatore”. Në vitet ’60, së bashku me dr. Nazmi Shehu dhe prof. Petro Cani, dr. Juli cilësohej si “një nga mosketierët e Kirurgjisë Ushtarake”.
Gjatë karrierës së tij dr. Juli botoi shumë artikuj e studime, kryesisht përsa i përket Abdomenit akut, Hemoragjive gastrointestinale, Shokut dhe Djegjeve kazuistike/rastësore, etj. Në fushën e Mjekësisë Ushtarake hartoi studimin “Mbi shërbimin e reanimacionit dhe urgjencës”.
Që nga viti 1947 mori pjesë në procesin pedagogjik në Shkollën e Mesme Mjekësore për ndihmës-mjekë, që përbënte bazën e Mjekësisë së atëhershme shqiptare. Në vitet 1962-1964 është lektor në Fakultetin e Mjekësisë, në lëndën “Kirurgjia Fushore”. Është bashkautor i botimit “Historiku i Institutit të Mjekësisë Ushtarake”.
Edhe pas daljes në pension për arsye shëndetësore më 1972, nuk u shkëput nga kirurgjia, duke asistuar si konsulent, si dhe kontribuoi në Shërbimin Ambulator të Komisioneve Mjeko-Ligjore. Vdes në Tiranë më 23.11.1983.
Dr. Jul Koliqi i përket brezit të kirurgëve, që, me përkushtim maksimal, ndërmorën përgjegjësinë e ngritjes të Kirurgjisë shqiptare, duke mbetur një autoritet i shquar në figurat e vyera të Mjekësisë Shqiptare.
(Marrë nga “Zenepe Dibra, Fjalor Enciklopedik i Hapësirës Shkodrane”)