Çfarë do të sjellin robotët humanoid në qeverisjen reale të botës?

9 Minuta Lexim

Nga Aleksandër Çipa-

Ritmet krijuese në fushën e teknologjive dhe sidomos të inovacioneve digjitale, kanë tejkaluar fantazistët e famshëm të botës në dy dekadat e fundit. Inteligjenca artificiale, robotët humanoidë dhe sistemet autonome nuk janë më pjesë e imagjinatave  të kinematografisë fantastiko-shkencore, por pjesë jete dhe realitet imponues.

Ky transformim vijues ka sjellë në fuqi një retorikë të rëndësishme: dita kur robotët humanoidë do të marrin role të rëndësishme në qeverisjen e shteteve dhe në administrimin e shoqërisë  e ka tejkaluar mëngjesin e saj.

Tashmë shumë qeveri po përdorin inteligjencën artificiale përprocesime administrative, për analizim të dhënash, për planifikim politikash publike, menaxhim trafiku dhe territori,  për kontroll të financave dhe ofrim shërbimesh publike.

Në disa vende hapi pararendës është hedhur: po ndodh përdorimi i robotëve humanoidë si ndërmjetës mes institucioneve dhe qytetarit, pra publikut.

Kreatorët dhe studiuesit, por sidomos përkrahësit e kësaj ideje argumentojnë se robotët nuk ndikohen nga emocionet, interesat personale apo korrupsioni. Një pjesë  e qeverisësve të vendeve të vogla të korruptuara, këtë shpjegim e servirin edhe si alibi për gjetjen e zgjidhjes antikorrupsion!

Këto risi u atribuojnë robotëve aftësinë për të analizuar miliona dokumente në pak sekonda, të krahasojnë alternativa dhe të propozojnë vendime të bazuara në të dhëna. Teorikisht kjo mund të ndikojë për një administratë më efikase, më transparente, më të shpejtë dhe natyrisht më të kontrolluar. Por, qeverisja nuk është vetëm statistikë. Duke qenë e lidhur dhe përcaktuese e fatit social  dhe rrethanave të organizuara shoqërisht të individëve,  qeverisja kërkon empati, përgjegjësi morale, mirëkuptim të kulturës dhe aftësi për të marrë vendime në situata ku nuk ekziston një përgjigje e vetme e drejtë.

Një algoritëm mund të llogarisë pasojat ekonomike të një vendimi, por nuk mund të ndjejë dhe të trajtojë ndjenjat aq ekskluzive që mbart njerëzimi.

Një robot industrial kinez ndihmon në montimin e llambave, korrik 2026, Shangai, Kinë Lindore/Foto nga VCG

Sfida tjetër që vlerësohet nga qeveritë e kësaj bote, është ajo që lidhet me kontrollin e teknologjisë. Kush dhe deri ku do t’i programojë robotët? Kush do të përcaktojë vlerat mbi të cilat do të funksionojnë? Algoritmet përmbajnë paragjykime ose manipulohen nga interesa politike  dhe ekonomike. Rreziku po merr një formë të re dhe vështirësitë për t’u identifikuar po bëhen edhe më potenciale.

Parashikimi i ekspertëve se dekada e ardhme robotët humanoidë do t’i përdorë si ndihmës të rëndësishëm në administratë, shëndetësi, drejtësi, siguri dhe arsim, eksperimentalisht tashmë është provuar. Detyrat rutinë do t’I kryejnë me lehtësi dhe do të përshpejtojnë proceset, do të ndihmojnë në analizimin e situatave komplekse. Megjithatë, vendimmarrja politike do të mbetet përgjegjësi e njerëzve, të cilët mbajnë përgjegjësi përpara ligjit dhe qytetarëve.

E ardhmja ka të ngjarë të mos jetë një botë e qeverisur vetëm nga robotët, por një bashkëpunim mes inteligjencës njerëzore dhe inteligjencës artificiale.

Në dialogimet e nivelit të lartë këto sfida kanë nisur të trajtohen edhe zyrtarisht.

Kina është fuqia e parë botërore që këtë përgjegjësi dhe detyrim ndaj kësaj sfide e ka artikuluar zyrtarisht. Kina ka ndërtuar tashmë një strategji kombëtare afatgjatë për t’u bërë lider botëror në inteligjencën artificiale dhe robotikë. Po i mbështet kompanitë e veta me investime shtetërore. Ka krijuar qendra të mëdha kërkimore të cilat po i zhvillon dhe zgjeron me ritme befasuese. Ia ka dalë të surprizojë me prodhimin e robotëve humanoidë, madje në disa raste udhëheqësve botërorë që kanë vizituar qytetet industriale të Kinës u janë ofruar spektakle me performime fantastike të robotëve humanoidë. Kompani kineze si Unitree, AgiBot dhe UBTech kanë ekspozuar robotë që synojnë përdorim në industri, logjistikë dhe shërbime. Manualet e së ardhmes dëshmojnë se së afërmi ndërtimi i robotëve gjithnjë e më të zgjuar ka për të qenë edhe më surprizues.

Mirëpo krijimi i rregullave etike dhe ligjore që sigurojnë se teknologjia përdoret në shërbim të njeriut dhe jo në vend të tij, sipas sugjerimeve të qeverisë kineze, duhen institucionalizuar ndërkombëtarisht, duke u bërë proces I shpejtë amendimesh në institucionet e qeverisjes globale. Tashmë dilema nuk shtrohet nëse robotët humanoidë do të ndikojnë në qeverisje, pasi tashmë diçka e tillë, filluar në forma të ndryshme, por si kjo shoqëri njerëzore do të ruajë ekuilibrin mes efikasitetit që ofron teknologjia dhe vlerave njerëzore që përbëjnë themelin ekzistencial.

Roboti humanoid i Teslas, Optimus/Foto nga VCG

Vendimet e së ardhmes mund të mbështeten nga inteligjenca artificiale apo forma të tjera inovative, por përgjegjësia për to duhet të mbetet te njeriu. Është shumëkombëshe tashmë bindja se inteligjenca artificiale, është  teknologjia më transformuese që nga shpikja e energjisë elektrike. Pasojat ndikuese të saj do të prekin çdo sektor: ekonominë, mbrojtjen, shëndetësinë, arsimin, administratën publike dhe, në fund, mënyrën se si qeverisen shtete dhe bota.

SHBA ka vendosur kufizime për eksportin drejt Kinës të disa çipave më të avancuar për inteligjencën artificiale, ndërsa Kina po investon shumë për të zhvilluar prodhimin vendas të gjysmëpërçuesve dhe për të ulur varësinë nga teknologjitë e huaja. Robotët humanoidë kanë dalë e po dalin tashmë masivisht nga laboratorët në jetën reale.

Tesla po zhvillon robotin humanoid Optimus, me synimin që ai të kryejë punë të përsëritshme në fabrika dhe, në të ardhmen, edhe në ambiente shtëpiake. Figure AI ka prezantuar robotë që testohen në industri dhe logjistikë, duke bashkëpunuar me kompani të mëdha prodhuese.

Boston Dynamics vazhdon të zhvillojë robotë me lëvizshmëri të avancuar, të aftë të operojnë në mjedise të vështira.

Ndërkohë, Kina po prodhon robotë humanoidë me ritme gjithnjë e më të shpejta, me objektivin për të ulur kostot dhe për t’i bërë ata të përdorshëm në një gamë të gjerë sektorësh.

Në dekadën e ardhshme miliona robotë humanoidë mund të përdoren në industri, logjistikë, kujdes shëndetësor dhe shërbime, nëse kostot vazhdojnë të bien dhe aftësitë e tyre përmirësohen. Ndryshe nga SHBA dhe Kina, Bashkimi Evropian është përqendruar jo vetëm te zhvillimi i IA-së, por edhe te krijimi i rregullave për përdorimin e saj. Në këtë aspekt kontrollues dhe rregullues, duket se qasja e propozimeve Kinë-Europë është më pranë dakordësisë. Ky model mund të ndikojë në mënyrën se si vendet e tjera do të hartojnë ligjet për inteligjencën artificiale.

Një inxhinier kinez po studion për prodhimin e një robotit që i përshtatet linjës së ndërlikuar montimit industrial/Foto nga VCG

Pyetja e shpesh përsëritur edhe mes qeverisësve të ndryshëm të fuqive dhe kontinenteve politike: A mund të qeverisin robotët?,- nuk është dilemë, por më pranë retorikës. Sistemet e IA-së tashmë analizojnë sasi të mëdha informacioni, identifikojnë modele, simulojnë skenarë ekonomikë dhe ndihmojnë në hartim politikash publike. Administratat shtetërore do të përdorin robotë humanoidë dhe sisteme të IA-së për: ofrimin e shërbimeve publike 24 orë në ditë; analizimin e buxheteve dhe shpenzimeve; menaxhimin e emergjencave; planifikimin urban; administrimin e sistemeve të transportit; mbështetjen e vendimmarrjes me analiza të bazuara në të dhëna etj., etj.

Por kurrësesi robotët nuk do të zëvendësojnë udhëheqësit politikë. Përgjegjësitë ligjore, etika dhe përfaqësimi i qytetarëve janë elemente që nuk mund të reduktohen vetëm në algoritme.  Dilema është se si  do ta përdorë njerëzimi këtë fuqi?! Përcaktueshmëria e saj është e lidhur themelësisht me përgjegjësinë , vendimet politike, ligjore dhe etike që do të merren prej qeverisësve, veçanërisht atyre që qeverisin Botën.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull