Fatmir Mediu ‘tradhton’ Berishën: S’do jem në protestën e 6 dhjetorit, të konsultohemi me partitë europiane

2 Minuta Lexim

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nuk do të jetë i pranishëm në protestën që Partia Demokratike do të zhvillojë më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të zhvillohet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Në një intervistë për Euronews Albania, Mediu u shpreh se atë ditë, do të jetë në Uashington, në një takim të Internacionales Demokratike.

Mediu nënvizoi se në lidhje me këtë protestë, opozita duhet të konsultohet me partnerët e saj, si Partitë Popullore Europiane dhe Partitë Konservatore Europiane.

“Unë padyshim e vlerësoj që protesta është një nga elementët më të domosdoshëm politik, në mënyrë të veçantë të opozitës. Por për protestën e 6 dhjetorit as nuk më ka pyetur kush, as më ka kërkuar njeri mendim. Por ajo që dua të them, është që protesta nuk duhet kthyer në qëllim në vetvete të opozitës. Ka disa rrafshe në të cilat duhet të punojë opozita.

Meqënëse ndodhemi para një samiti të rëndësishëm, është e rëndësishme atë marrëdhënie që ka Partia Demokratike apo Republikane, dhe parti të tjera të opozitës, në momente të tilla duhet të kemi një qëndrim të përbashkët me partnerët tanë, me Partitë Popullore Europiane, me Partitë Konservatore Europiane, edhe me ata njerëz apo qendra vendimarrëse europiane, në mënyrë që mos të krijojmë perceptime të gabuara të cilat mund të kthehen në disavantazh opozitar.

Nuk do të jem sepse do të jem në Uashington në një takim të Internacionales Demokratike që zhvillohet në të njëjtën kohë. Po të më kishin pyetur, do thoja në radhë të parë që duhet patjetër të konsultoheshim me Partitë Popullore Europiane, që kanë peshën kryesore jo vetëm në PE, por në qendrat më të mëdha vendimarrëse, në mënyrë që të mos lëmë shteg për keqinterpretime apo abuzime me aktivitetin politik opozitar”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull