Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

8 Minuta Lexim

Shkruar nga Newsbomb

Nga Lefter Çipa te Akri Çipa: një histori familjare, letrare dhe shpirtërore që udhëton nga Himara drejt botës

Ka libra që lindin nga një ide, libra që lindin nga një përvojë dhe libra që lindin nga nevoja për të mos humbur një zë.

Jemi që pa ardhur deti, libri i Akri Çipës, që tashmë vjen në një version të ripunuar në gjuhën angleze me titullin We Were Here Before the Sea, duket se i përket të tria këtyre kategorive. Por në thelb të tij qëndron diçka më e thellë: dëshira për ta mbajtur gjallë një dialog me një poet që nuk jeton më, por që vazhdon të jetojë përmes fjalës së tij.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Libri përmban një ese të ripunuar dhe një intervistë me Lefter Çipën, zhvilluar kur poeti ishte ende gjallë. Kjo e fundit nuk është thjesht një kujtesë e nipit për gjyshin. Është zëri i vetë Lefterit, i ruajtur në kohë dhe i sjellë sot përpara një lexuesi të ri.

Por ajo që më ka tërhequr më shumë në këtë libër është rrëfimi i sinqertë i Akrit për marrëdhënien me gjyshin.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Ai nuk e fsheh se, si fëmijë, mes tyre kishte një distancë. Përkundrazi, pranon se e kishte të vështirë ta kuptonte atë figurë stoike, të rëndë, që për një fëmijë mund të krijonte më shumë hezitim sesa afërsi.

Dhe pastaj ndodhi diçka e bukur: Akri e zbuloi gjyshin përmes veprës.

Ai shkruan se marrëdhënien reale me të e vendosi duke lexuar librat e tij.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Pra, nuk e zbuloi Lefter Çipën vetëm si gjysh. E zbuloi si poet.

Kjo është një nga të vërtetat më të bukura të këtij libri. Sepse trashëgimia kulturore nuk kalon vetëm nga gjaku te gjaku. Ajo kalon përmes leximit, pyetjes, kërkimit dhe dialogut.

Lefter Çipa ishte një nga zërat më të veçantë poetikë e folklorikë të Bregut dhe të Labërisë. Krijimtaria e tij lidhej me këngën, me traditën gojore, me dashurinë, erotizmin, atdhetarinë dhe me një ndjenjë të fortë të vendit ku kishte lindur. Ai e jetoi krijimtarinë si pjesë të identitetit të vet dhe të komunitetit të tij.

Por Akri nuk është thjesht vazhdimi i Lefterit.

Ai është një autor i një kohe tjetër.

Ai vjen nga gazetaria, eseistika, poezia, mendimi politik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Jeton e punon në Shtetet e Bashkuara dhe, përmes veprimtarisë së tij, është pjesë e një realiteti tjetër shqiptar: atij të diasporës së re.

Dhe këtu historia familjare merr një dimension më të gjerë.

Sepse diaspora shqiptare ka një kujtesë të gjatë të të jetuarit larg dhe të të parit nga larg. Por largësia nuk ka nënkuptuar domosdoshmërisht shkëputje. Përkundrazi, shumë prej brezave të saj kanë mbajtur sytë, mendjen dhe emocionin te vendi prej nga janë nisur.

Akri është pjesë e kësaj përvoje bashkëkohore.

Mërgimi për të nuk është thjesht një largim fizik. Ai është edhe një kënd tjetër vështrimi. Në distancë, vendlindja mund të shihet ndryshe: me më shumë mall, por edhe me më shumë pyetje; me më shumë kujtesë, por edhe me një nevojë më të madhe për ta kuptuar të tashmen.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Nuk është e rastësishme që Akri e përmend në ese “mërgimin nga atdheu fizik” si një përvojë të fillimeve të tij.

Dhe sot, nga kjo distancë, ai e sjell përsëri zërin e gjyshit në vendin prej nga ai zë buron.

Kjo është edhe bukuria e këtij botimi në anglisht.

Ai nuk e largon librin nga vendi i origjinës. Përkundrazi, e çon atë më larg për t’i dhënë mundësi të kthehet më i dëgjuar.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Nga shqipja në anglisht.

Nga Himara drejt botës.

Nga kujtesa familjare drejt kujtesës kulturore.

Dhe pastaj përsëri në Himarë.

Në këtë udhëtim, titulli We Were Here Before the Sea merr një kuptim të jashtëzakonshëm.

“Ne ishim këtu përpara detit.”

Kjo nuk është vetëm një fjali poetike. Është një pohim për rrënjët, identitetin dhe kujtesën. Është një mënyrë për të thënë se historia e një vendi dhe e njerëzve të tij nuk fillon me kufijtë që shohim sot dhe as me largësitë që na ndajnë.

Madje, ky titull lidhet edhe me vetë zërin e Lefterit, i cili e kishte bërë këtë ide pjesë të mënyrës së tij për të folur për Himarën dhe identitetin.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Dhe pastaj është vetë emri i Akrit.

Akri lidhet me Akroqeranet, malet që ngrihen mbi Himarë. Por përtej kësaj lidhjeje me vendin, emri mbart edhe një kujtesë familjare. Një emër i trashëguar nga një i afërm që u nda shumë herët nga jeta.

Dhe kështu, një emër që vjen nga mali bëhet edhe një amanet.

Sikur ai që u ngjit herët në qiell të vazhdojë ta shohë jetën mbi tokë përmes nipit që mban emrin e tij.

Ndoshta kjo është një nga mënyrat më të bukura se si brezat vazhdojnë të jetojnë te njëri-tjetri.

Në këtë histori ka edhe një tjetër vazhdimësi.

Lefteri e kishte fjalën si këngë.

Aleksandër Çipa, i biri i tij dhe babai i Akrit, e përcolli atë botë edhe përmes gazetarisë dhe publicistikës.

Akri po e merr fjalën më tej, në poezi, ese dhe gazetari, por edhe në një gjuhë tjetër, përtej kufijve të Shqipërisë.

Tre breza, tri mënyra të ndryshme të përdorimit të fjalës.

Por një nevojë e përbashkët: të mos humbasë lidhja me atë që kemi qenë.

Prandaj ky libër nuk është thjesht një ribotim.

Nga Lefteri te Akri, fjala që nuk e ndal deti

Është një rikthim.

Një rikthim i Akrit te gjyshi.

Një rikthim i zërit të Lefterit te lexuesi.

Një rikthim i kujtesës te vendi i origjinës.

Dhe, në një kuptim më të gjerë, një kujtesë për një diasporë që mund të jetojë larg, të krijojë larg, të flasë gjuhë të tjera, por që ende i mban sytë nga vendi ku ka rrënjët.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe simbolika më e bukur e këtij udhëtimi.

Libri shkon përtej detit, por nuk harron se nga ka ardhur.

Dhe sot, kur ai kthehet në Himarë, nuk vjen si një i huaj.

Vjen në shtëpi.

Te mali.

Te deti.

Te kujtesa.

Dhe mbi të gjitha, te fjala.

Sepse fjala e vërtetë nuk njeh kufij.

Ajo mund të udhëtojë nga një brez te tjetri, nga një gjuhë te tjetra, nga një breg në tjetrin.

Dhe, kur e ka ruajtur rrënjën, ajo di gjithmonë të kthehet.

Ndoshta kjo është ajo që na thotë, në fund të fundit, libri i Akri Çipës: Ne ishim këtu përpara detit; por fjala jonë vazhdon edhe përtej tij. Sepse, Deti dhe Flala janë të parët dhe mbeten aty, gjithmon të parët

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull