Kultura orale te “mban brenda”…

11 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Gjithmonë kam qenë dyshues te aftësia e gjuhës për të më orientuar në mjedisin që më rrethonte, për të kuptuar kurthet që ngriheshin e zhdukeshin përreth meje, por edhe ato që më dukeshin si të tilla e nuk ishin. Më dukej më e shëndetshme t’i besoja intuitës sesa fjalëve. Ky dyshim, e kuptova më vonë, nuk ishte thjesht një idiosinkrazi fëminore, por prekte një nga çështjet më të vjetra të mendimit mbi gjuhën: a na jep ajo botën, apo na jep vetëm një version të saj, të filtruar, të prerë sipas kallëpeve që vetë gjuha i ka trashëguar? Nuk ishte tamam e njëjta gjë me atë që Wittgenstein e shpreh me formulën e njohur, “kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime”. Qe diçka më radikale: nuk kërkoja të dija nëse gjuha më kufizonte botën, se edhe ashtu më dukej më e madhe se sa kisha nevojë; kërkoja të dija nëse më tregonte të vërtetën e saj.
Pastaj erdhi rusishtja, e mësuar nga një mësuese e mirë rusofone që kishte komplekset e saj, por që e recitonte poezinë e autorëve të mëdhenj rusë me lot në sy. Përsëri, kishte diçka të sforcuar në atë gjuhë, diçka të ekzagjeruar, emotive e të panevojshme. Bubullimat e kadencave më linin përshtypjen e një zjarri që e shihja mirë, i afrohesha, zgjasja duart drejt tij, por ai nuk më ngrohte.
Gjithsesi, kur vite më parë përpiqesha të kuptoja nëse aspiracioni demokratik i një vendi është shkruar në gjuhën e popullit të tij, hesapi më dilte pak ndryshe. Rusishtja ftonte për një jetë demokratike të popullit rus. Për këtë nisesha nga fakti se një rus fare i thjeshtë mund t’i drejtohej një bojari apo edhe një anëtari të byrosë politike e akoma më lart, drejtpërdrejt me emër (fjv.): Vladimir Vladimiroviç…! Për një gjë të tillë as që bëhet fjalë në ndonjë gjuhë perëndimore. Ja që realiteti nuk e provon “teorinë” time. Tani dëgjoj të thuhet edhe se rusët e kanë të vështirë të perceptojnë një rend demokratik. Zgjedhja bie me shumice te nje “burrë i fortë”, nje eufemizëm per nje despot, mundesisht të përgjakshëm.
Kur ndodhesha në shtëpinë e një shoku të fëmijërisë ku flitej greqisht, pyesja veten nëse jetoja vërtet në të njëjtin vend me atë ku flitej shqip. Kishte diçka intimiste në mënyrën si u shpalosej jeta atyre, më e imtësishme se sa më shfaqej mua. Shumë gjëra merrnin ngjyrë tjetër. Nuk kuptoja nëse gjuha u përshkruante botën ndryshe, apo thjesht u mprihte vëmendjen drejt anëve të saj të veçanta. Miqtë e mi minoritarë pasqyronin mënyrën e tyre të të vështruarit të botës, apo kjo mënyrë ishte thjesht një “fakt social” i njerëzve që jetonin në një pellg tjetër gjuhësor edhe pse të integruar në mënyre perfekte? As atëherë e as sot nuk kam përgjigje. Ka gjasa që gjuha, në rastin e tyre, të mos u përshkruante një botë siç e shihja unë, por t’i orientonte drejt një nuancimi që vinte si një thirrje e largët e imperativit të mbijetesës.
Me italishten ndjeva diçka krejt tjetër: afërsi, lidhje intime, familjaritet, por nuk di të them nëse kjo ishte cilësi e gjuhës apo përshtypja që më mbeti mua kur munda të lexoj në origjinal autorët e mëdhenj italianë. Gjithsesi, nuk mund të harroj se në italisht mund të shaja me më pak teklif, por ndihesha edhe më i guximshëm kur ishte puna për t’u komunikuar ndonjë rrëfim më konfidencial gocave të klasës, punë për të cilën më dukej se shqipja nuk jepte shumë dorë: -)). Ndjeja pra se ajo gjuhë, italishtja, më kishte lejuar e ndihmuar të kem një definicion më të avancuar të vetes sime. Nëse është kështu, atëherë afërsia që ndjeva me italishten mund të mos ketë qenë thjesht estetike, por një përputhje mes atij “unë” që gjuha italiane më lejonte të ndërtoja dhe temperamentit tim, një lloj rezonance mes zërit të brendshëm dhe formës që gjuha i jepte atij zëri.
Dhe kur ndodhi ai zbarkimi i madh në Itali, që e ndoqa për hesap të një gazete, mua shqiptarët nuk më dukeshin të ndryshëm, as më të këqinj, as më të shëmtuar, por të parritur. Më bëhej se gjuha shqipe nuk i kishte lejuar të zhvilloheshin në masën e viteve që kishin. E kuptoj, së pari ishte mjerimi me të cilin u shfaqëm para botës. Por nuk ishte vetëm kjo. Duke izoluar vendin, diktatura e kishte privuar një komb të tërë nga mundësia e thjeshtë për të ecur me ritmin e botës: për të parë, për të dëgjuar, për të krahasuar veten me të tjerët. Dhe atëherë kuptova se ajo papjekuri nuk ishte cen, por plagë e heshtur, një mungesë e gjatë drite e dielli, që i kishte lënë njerëzit të rriteshin vetëm brenda kufijve të vetmisë së tyre.
Në moshën 12–13-vjeçare erdhën fillimet e frëngjishtes (më detyruan). Kjo solli diçka thelbësisht të re: kuptimin se bota është e shtresëzuar jo për shkak të përkatësisë sociale, por të mjeteve që ke në dispozicion për ta kuptuar atë. Një gjuhë me të cilën mund të studiohej mirë lufta e klasave.
Këtu nuk e dija se isha takuar me M. Heidegger-in, që gjuhën e quante “shtëpi të qenies”, vendbanimi ku vetë të qenit i zbulohet mundësia për t’u kuptuar. Universi frëng, siç e ndjeva atëherë, ishte “krejt tjetër” jo se përmbante fakte të tjera, por se kishte instrumente konceptuale të tjera për t’i artikuluar ato fakte, një sintaksë tjetër e mendimit, jo thjesht të fjalisë.
Anglishtja nuk më la të njëjtën ndjesi shtresëzimi kulturor edhe pse ne çdo tekst të shpjegojne se ka nje gjuhe e sintaksë te “popullit” dhe një të trashëguar nga aristokracia normande. Përkundrazi, m’u bë se perceptova një aftësi të asaj gjuhe për të shpjeguar saktë e thjesht edhe rrethanat më të komplikuara, pa qenë nevoja të kishe evoluar në një rreth të lartë shoqëror. Kjo “demokraci” e anglishtes bashkëkohore më shfaqej edhe te struktura e saj relativisht e thjeshtë morfologjike. Një gjuhë si e prerë për njerëzit e popujt me mjete të kufizuara, por që u ofronte gjithçka për të bërë përpara nëse nuk u mungonte vullneti. Diku lexova se nje politikan i nje shteti indian ka ndermarre futjen e anglishtes si gjuhë të parë me idenë se ajo do te injektoje nje dinjitet me te lartë ne popullin e tij dhe ai nuk do të synojë më punë të rendomta.
Jo sepse disa gjuhë janë më të mira e disa më të këqija, disa më të pasura e të tjerat më pak, por sepse gjuha, duke qenë një lloj projektori që na ndriçon botën, vetë dimensioni i dritës që ai hedh, për mendimin tim, gjendet brenda natyrës së gjuhës.
Shqipja mban në gjirin e vet një shtresë të lashtë, që s’është thjesht leksik apo gramatikë, por një mënyrë e tërë e të qenit në botë. Mbase kjo vjen nga e kaluara e saj e afërt orale, e rrënjosur aq thellë sa mund të quhet, në kuptimin figurativ, gjeni i saj kulturor jo trashëgimi biologjike, por një lloj habitus gjuhësor, një grumbull disponimesh të para-reflektuara që përcaktojnë se si struktura e gjuhës priret të organizojë përvojën. Kjo shtresë mbase vjen nga bota e legjendave dhe e këngëve kreshnike, këngët e kaçakëve dhe rrëfimet me shtriga të thëna e recituara mbrëmjeve pranë zjarrit, dëgjuar brez pas brezi nga një kujtesë kolektive që nuk lexon, por thjesht dëgjon.
Kujtesa kulturore e jona mbase u formua nga bardë e poetët ambulantë, pra nga ata që Platoni në kohën e tij donte t’i fuste në burg si prishës të shpirtit të popullit. Mbase sepse besonte se një kulturë e tillë i mbante helenët “brenda” ngjarjes dhe këtë e shihte në konflikt me idenë e tij të krijimit të një subjekti të aftë të qëndrojë jashtë përvojës, ta shohë atë në mënyrë kritike, ta zbërthejë në koncepte të përgjithshme e të qëndrueshme, të pavarura nga rrëfimi konkret që e mban gjallë.

Prej kohësh vij rrotull idesë se një kulturë kryesisht orale të “mban brenda”. Eshtë një dukuri që mund të ndodhë, por mbetet e vështirë ta kapësh me mendjen e parë. E vështirë sepse të jetosh “brenda” diçkaje do të thotë ta përjetosh aq natyrshëm, sa nuk e sheh më kornizën që të mban brenda. Kur je brenda një bote, një gjuhe, një mënyre të të menduarit, ajo bëhet e padukshme dhe pikërisht kjo padukshmëri e bën të vështirë të kuptosh se sa shumë të ka formuar (ose deformuar)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull