Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka deklaruar këtë të enjte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e pushtetit gjyqësor do të zbatohet plotësisht, duke nënvizuar njëkohësisht se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit dhe duhet të bëhet me ligj.
Duke folur sot në Komisionin parlamentar, Gogu tha se qëndrimi i tij ka qenë i njëjtë gjatë gjithë procesit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk negociohen dhe nuk relativizohen.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet. Nuk negociohet dhe nuk relativizohet”, u shpreh ministri.
Sipas tij, më 17 shtator Kuvendi do të shqyrtojë zgjidhjen ligjore, e cila duhet të respektojë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por njëkohësisht edhe rregullat që lidhen me administrimin e financave publike.
“Pagat e pushtetit gjyqësor përcaktohen me ligj nga Kuvendi. Më 17 shtator, Kuvendi do të shqyrtojë zgjidhjen ligjore, në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmërinë që kërkon çdo vendim mbi financat publike”, tha Gogu.
Ministri kërkoi gjithashtu që punonjësit e administratës gjyqësore dhe të prokurorisë të mos përfshihen në mosmarrëveshjen për pagat, duke theksuar se ata nuk janë palë në të dhe nuk duhet të mbajnë pasojat.
“Ata nuk janë palë dhe nuk duhet të mbajnë pasojat e saj”, deklaroi ai.
Në përfundim, Gogu e përmblodhi qëndrimin e tij në tre parime: respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, administrimin e parave publike vetëm sipas ligjit dhe respektimin e kompetencave kushtetuese të secilit institucion.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen. Paratë publike administrohen sipas ligjit. Secili ushtron kompetencën që i takon. Kështu funksionon shteti ligjor”, përfundoi ministri i Drejtësisë.

