Studenti që zëvendësoi “flamingot”

7 Minuta Lexim

Nga Aleksandër Çipa-

Episodi i përballjes me një grup policësh, i studentit gjirokastrit Klevi Metaj në protestat e dhunshme që nisën para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, do të mbetet gjatë si imazh në mendjet e shoqërisë shqiptare.

Nuk ishte sekuencë e një shpërthimi “robin hudist” prej studenti, por u dëshmua publikisht dhe trimërisht një fytyrë shprehëse dhe një karakter guximtar i një të riu që thyen tabunë e së njdenjurës në këtë shoqëri. Për këtë arsye, imazhi i portretit dhe gjestit të tij, ka për të mbetur gjatë në kujtesën publike.

Në atë shpërthim rinor, tek ajo fytyrë, është e mbledhur një gjendje në aktin shpërthyes të saj. Aty nuk është një individ dhe eksploziviteti moshor i tij, por një akt psikologjik të cilin do të duhej që ta mbanim në shqyrtesë të thellë dhe zhbirim psikoshoqëror në mediat tona. Paskësaj Klevi dhe ortakët apo vërsnikët e vet do të fitojnë atë që Eugenio Montale në esenë e vet “Në kohën tonë” e shpreh përmes pohimit:” Në ka gjë që i fal paqe njeriut është ndjesia e të qenit i nxitur, i shtyrë, i detyruar… sepse historia është natyrë”. Dhe gjendja e ndenjur për rininë, nuk është dhe nuk mund të jetë natyrë, sepse e ndenjura nuk bën histori.

A ishte dhe a është Klevi, si gjithë protestuesit e tjerë të 136 ditëve të ndodhura së fundit në Shqipëri? Pse ndryshoi skena dhe regjia e protestës në ditën e 136, ndërkohë që ishte krejt ndryshe  para se të shfaqej ai?  (Pra tipologjikisht jo thjesht ky individ, por masa rinore e studentëve dhe jo vetëm në skenën e protestës ndryshe?! )

I riu gjirokastrit Klevi, është ndryshe. Eshtë i lindur në Gjirokastër, me dy prindër të arsimuar dhe me karriera specifike, pa angazhime politike. Eshtë një i ri me ambicien vetiake dhe me vetësigurinë e të qenit zot për vetveten. Eshtë një djalë sportiv me ambicie dhe estetikë shpirtërore. Por a i ka pasur dhe i meriton mundësitë për të qenë edhe më kontribues dhe më i dëgjueshëm për pretendimet vetiake të jetës dhe të grupmoshës së vet? Për ta ditur këtë, do të duhej të ishte njohur më parë; ai dhe tipologjia e grup-kryelartuesve si ai.

Thelbi i kësaj krize, i këtij shpërthimi që po mbush Tiranën, është i thellë dhe lidhet me boshin shpirtëror të të rinjve, me këtë boshësi të një gjenerate, për të cilën është shmangur gjatë vëmendja, garimi real, konkurenca cilësore, vlerësimi, konsiderimi dhe sidomos qarkullimi meritor i elitës sonë shoqërore, aq më tepër asaj politike.

Në Shqipërinë e sotme sociale dhe politike, ka shumë mëri të akumuluara. Nuk janë thjesht të lidhura me grupe sociale dhe entitete të caktuara.

Eshtë një mëri e mbledhur në ndërgjegjen e masave të të rinjve të mbetur në atdhe, por pa pasur optimizmin për t’u ngulur këtu dhe për të qenë të garantuar.

Kontrastet e thella mes  të aftëve të papërfshirë, me të promovuarit në kushte dhe kritere të dyshimta, janë një arsye e gjithëgjendshme, nëpër biseda dhe sidomos debate të lira të rinjsh.

Në klimën e së përditshmes shoqërore imazhet e korrupsionit, zotësive kriminale dhe sidomos bashkëjetesa vendimarrëse e krimit dhe strukturave të tij me politikën dhe administrimin e vendit, janë një perceptim sundonjës që peshojnë realisht zymtësi shpirtërore.

Kundër këtij perceptimi dhe sdiomos përballë morisë së shtresëzuar të denoncimeve për inkriminimin e investimeve publike, për deformimet pronësore në territor, në pronat dhe hapësirat publike, u servir shpërfillja dhe shpesh, injorimi.

Tashmë po shfaqet si dedhje, kostua e goditjes dhe shembjes së besueshmërisë publike ndaj qeverisjes. Kësi gabimesh kanë mundësuar një ngritje të masave të të pakënaqurve dhe pse jo, edhe po favorizojnë kundërshtarët politikë të dukshëm dhe të padukshëm të qeverisë së kryeministrit Rama.

Klevi, i riu që grushtoi, në frymë dhe shpërthim të lirisë së vet rinore mbi vërsuljen policore, do të marrë  shenjën dhe do të mbesë një simbol, për masat rinore në kohë të afërt.  Është imazh i një kontradikte të thellë dhe antagonizmi politiko-qeverisës mes të rinjve të kësaj tipologjie dhe qeverisjes që do të duhej të ngrihej dhe qëndronte në shërbim  të shtetasve, por jo si kontrolluese e reagimeve.

Nëse nuk kurohet mençurisht dhe administrueshëm një marrëdhënie e tillë, atëhere ajo prej keqtrajtimit, nis të shformësohet si përplasje. Kjo qasje, armiqëson dramatikisht gjeneratën rinore me vetë shtetin dhe forcat e tij. Kjo është e rrezikshme, sepse të përqas me situatat para anarkiste dhe shtetgoditëse, ajo sjell pranësinë me antiligjin dhe humbjen e kontrollit.

Përballë rinisë, në demokraci, nuk mund të sillet polici dhe forca, por mundësia dhe liria, shërbimi dhe perspektiva.  A janë këto të fundit, një servirje e dukshme për Klevin dhe grupmoshën e tij? A e besojmë sot, se në këtë vend, klasa politike po reflekton për një platformë përmbysëse të gjendjes së ndenjur dhe zbrazjes që po plak?!

Kurrësesi!..

Shpërthimi rinor si në rastin e Klevit, është rasti i të riut, si kampion për shoqërinë që do të duhej të ish shkundur, por është aktivisti që eklipsoi “revolucionin e flamingove” ose  për t’u bërë shumë më imponues  jo vetëm si diktues i dëgjimit, por i zgjidhjeve, mesa duket, edhe ndryshe.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull