Nga Arben Isaraj-
Një shprehje popullore, që shpesh e përdorim me ironi kur gjendemi në një mjedis ku sjelljet, karakteret dhe vlerat e njerëzve na bëjnë të ndihemi të papërshtatshëm.
Në pamje të parë, është një gjykim për të tjerët. Por, po ta mendosh pak më gjatë, shprehja përmban një paradoks interesant.
Ai që thotë “O kasolle, ku na mblodhe!”, harron se edhe vetë është njëri prej atyre që kasollja ka mbledhur.
Madje, shpesh secili prej nesh mendon se është pikërisht ai që nuk duhej të ishte aty!
Këtu fillon edhe problemi etik.
Ne jemi të prirur t’i dallojmë lehtësisht mangësitë e të tjerëve, ndërsa për të metat tona gjejmë shpjegime, rrethana lehtësuese, ndonjëherë edhe justifikime.
Kështu, mund të ndodhë që një bashkësi të përbëhet nga njerëz që ankohen për njëri-tjetrin, ndërkohë që secili e konsideron veten përjashtim nga problemi.
A nuk është ky një nga paradokset më interesantë të bashkëjetesës sonë?
Dhe një pyetje për diskutim me ju o miq e shokë:
Kur themi “O kasolle, ku na mblodhe!”, a kemi bërë vërtet një gjykim për të tjerët, apo kemi zbuluar pa dashje mënyrën se si e shohim veten në raport me ta?
Po sikur pyetja të mos jetë se “ku na mblodhi kasollja”, por përse pranuam të mblidhemi në të?
Ndonjëherë na bashkojnë rrethanat, ndonjëherë interesat, herë të tjera bindjet apo ambiciet.
Por çfarë ndodh kur, për të qëndruar pjesë e një bashkësie, duhet të heshtim përballë së gabuarës, të pranojmë atë që nuk e besojmë ose të bëjmë kompromis me ndërgjegjen?
A është largimi zgjidhja më dinjitoze, apo qëndrimi dhe përpjekja për të ndryshuar diçka?
Dhe, mbi të gjitha, kur bëhet përshtatja me të tjerët një virtyt shoqëror dhe kur shndërrohet në kompromis moral?
Ndoshta kjo është dilema e vërtetë që fshihet pas shprehjes popullore.

