Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur vendimin e Shkallës së Parë për ish-shefin e operacionales, Oltion Bistrin duke e dënuar përfundimisht në total me 7 vite e 4 muaj heqje lirie.
Trupa gjykuese me relator, Dhimitër Lara e anëtar, Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi vendosën ta shpallin fajtor edhe për pastrim parash e korrupsion pasiv.
Apeli vendosi edhe konfiskimin e 3 apartamenteve, 2 bizneseve dhe 1,3 milion euro. Në shkallën e parë, Bistri ishte dënuar vetëm për zbulim të akteve apo të dhënave sekrete dhe kishte marrë pafajësi për akuzat e tjera të ngritura nga SPAK.
Për të pandehurit e tjerë Edmond Prekën, Astmer Bilalin, Behar Bajrin dhe Xhevahir Litën lihen në fuqi dënimet e shkalles së parë.
NJOFTIMI I PLOTE:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), gjyqtare Daniela Shirka (anëtare), gjyqtar Engert Pëllumbi (anëtar), sot më datë 11.11.2026, disponoi për çështjen penale nr. 55 akti, datë 29.06.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të pandehurit B. B, E. P, A.B., O. B., Xh. L.: “Ankim kundër vendimit nr. 73, datë 18.11.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si vijon:
-Lënien në fuqi të vendimi nr. 73, datë 18.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit B.B, E. P., A.B. dhe Xh. L.
-Lënien në fuqi të vendimi nr. 73 datë 18.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin O. B. për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295, shkronja “a”, paragrafi i dytë i K.Penal.
-Ndryshimin e këtij vendimi për të pandehurin O. B. si më poshtë:
– Deklarimin fajtor të të pandehurin O. B. për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal, (para ndryshimeve në ligjin 43/2021 datë 23.03.2021) dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
– Deklarimin fajtor të të pandehurin O.B. për kryerjen e veprës penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë shkronja “b” i K. Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
-Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të K.Penal i pandehuri O. B. dënohet me një vendim të vetëm me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
-Në zbatim të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurit O.B. i ulet 1/3 e dënimit të dhënë duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
-Në zbatim të nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 36 të K.Penal:
Konfiskimin e pasurive të mëposhtme:
-Sipërfaqe ndërtimore e llojit “apartament”, ndodhur në katin e gjashtë, shkalla gjashtë, me sipërfaqe totale 400 m2,
-Sipërfaqe ndërtimore e llojit “apartament”, ndodhur në katin e gjashtë, shkalla pesë, me sipërfaqe totale 400 m2
-Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore totale 125 m2,
-Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 m2, në total dhe
-Sipërfaqe ndërtimore e llojit “apartament”, e ndodhur në katin e dhjetë, me sipërfaqe totale 110.6 m2
Pasuri këto të sekuestruara sipas vendimit datë 23.08.2023 të Prokurorëve të Posaçëm.
-Shuma 230,000 (dyqind e tridhjetë mijë) euro, 200,000 (dyqind mijë) euro, 50,300 (pesëdhjetë mijë e treqind) euro, 320,000 (treqind e njëzetë mijë) euro dhe 200,000 (dyqind mijë) euro. Në total 1,000,300 (një milion e treqind) euro, shuma të depozituara në AAPSK.
-Shpenzimet gjyqësore në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
-U shpall më 11.11.2026.

