Kurrë më luftë! Deri në tjetrën…

2 Minuta Lexim
Sot ishte ditë pushimi në Strasburg. Franca përkujton 108-vjetorin e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Edhe në Britani, 11 nëntori është ditë përkujtimi për të rënët, ndonëse jo ditë pushimi.
Përkujtimi i të rënëve është një traditë e lashtë, por kuptimi i tij ka ndryshuar gjatë shekujve.
Në lashtësi, të rënët nderoheshin për heroizmin dhe lavdinë që i sillnin qytetit. Në shekullin XIX, me lindjen e nacionalizmit, i rëni bëhet martir i kombit. Sakrifica e tij shenjtërohet. Duke nderuar të vdekurit, shoqëria u kërkonte të gjallëve të ishin të gatshëm për të njëjtën sakrificë.
Lufta e Parë Botërore solli një çarje të madhe në këtë traditë. Miliona njerëz vdiqën në llogore, nga mitralozët, artileria, gazi. Vdekja u bë masive, anonime, industriale. Heroizmi nuk mjaftonte më për t’i dhënë kuptim katastrofës. Kështu, krahas lavdisë hyri dhimbja, krahas krenarisë, ndjenja e kotësisë së luftës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, përkujtimi u bë më problemor. Holokausti, bombardimet e qyteteve, Hiroshima. Në qendër nuk ishte më vetëm ushtari që sakrifikohet, por shtohet edhe viktima që nuk ka zgjedhur të luftojë. Në këto rrethana, përkujtimi, përveç pyetjes “Për ç’kauzë dhanë jetën?”, fokusohet gjithnjë e më shumë në pyetjen “Përse u lejua të ndodhte marrëzia?”.
Sot pyetja e dytë tingëllon më therëse se kurrë. Në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme njerëzit vazhdojnë të vriten. Në kryeqytetet e botës flitet gjithnjë e më shumë për luftë, përgatitje ushtarake, armatim. Miliarda të tjera për armë. Gjithnjë e më pak besim te paqja.
Në ceremonitë përkujtimore betohemi se tragjeditë e së shkuarës nuk duhet të përsëriten. Por në politikën e përditshme lufta po normalizohet sërish si instrument për zgjidhjen e konflikteve.
Në përkujtime si ky i sotmi vjen si jehonë thirrja “Kurrë më luftë!”. Mungon vetëm lolua i dikurshëm i oborrit që të shtojë: “Deri në tjetrën…”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull