Balluku i jep leksione disipline Spiropalit dhe betohet për Ramën

2 Minuta Lexim

Nën akuzat e SPAK, por me disiplinën partiake në majë të gjuhës, Belinda Balluku ka zgjedhur të bëjë moral për unitetin e socialistëve, menjëherë pas Asamblesë ku Edi Rama kërkoi përjashtimin e Elisa Spiropalit. Ish-zëvendëskryeministrja, që nuk thotë asnjë fjalë për problemet e saj me drejtësinë, ka gjetur kohë t’i kujtojë Spiropalit rregullat e familjes socialiste dhe t’i betohet sërish për besnikëri kryetarit.

“Diversiteti i mendimeve është pjesë e natyrshme e familjes tonë, por ajo që na bashkon është më e rëndësishme: besimi, përgjegjësia dhe angazhimi për të ecur përpara së bashku”, shkruan Balluku.

Pra, në familjen socialiste mendimi ndryshe lejohet, për sa kohë nuk shqetëson kryetarin.

“Suksesi ynë qëndron te uniteti, disiplina dhe mbi të gjitha, organizimi kapilar i strukturave tona”, vijon ajo.

Mesazhi duket i drejtuar Spiropalit, e cila në Asamblenë e sotme u përball me Ramën pas qëndrimeve të saj kritike. Ndërsa për kryeministrin, Balluku rezervon një tjetër deklaratë besnikërie, duke premtuar fitoren e 9 majit “nën vizionin e Edi Ramës”.

Në gjithë këtë status për vlerat, përgjegjësinë dhe disiplinën, ish-zëvendëskryeministrja nuk gjen asnjë fjalë për akuzat e SPAK apo hetimet ndaj saj.

Pas Asamblesë së sotme, mesazhi është i qartë: për Spiropalin, disiplinë; për Ramën, besnikëri; për SPAK-un, heshtje.

Në fund të fundit, në familjen e madhe socialiste, duket se problemi nuk është çfarë ke bërë, por nëse ke guxuar të flasësh.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull