Nga Enver Robelli-
Më 14 tetor, gjenerali italian Roberto Vergori mori komandën e trupave të NATO-s në Kosovë. Gjashtë javë më vonë, oficerë të ushtrisë serbe vijnë në komandën e KFOR-it në Prishtinë. Priten, mirëpriten dhe u lavdërohet profesionalizmi. Për çfarë profesionalizmi po flisni?
Për profesionalizmin e një ushtrie që para disa muajsh, me urdhër të autokratit Aleksandar Vuçiq, nisi në mënyrë teatrale tanke, avionë luftarakë dhe mjete të tjera ushtarake në drejtim të Kosovës? Të një ushtrie që dyshohet se i vuri në dispozicion poligonet e saj bandës terroriste të Milan Radoiçiqit, para se ajo të kryente sulmin në veri të Kosovës dhe të vriste një polic të Kosovës?
Bëhet fjalë për një ushtri që boton veprat e gjeneralëve dhe komandantëve serbë të dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, si Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq. Ky i fundit ligjëron edhe para kadetëve në Akademinë Ushtarake në Beograd. Të dy, Pavkoviqi dhe Llazareviqi, janë dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë. Pasuesit e tyre vijnë në Prishtinë pa shprehur asnjë keqardhje për krimet e kryera nga ushtria serbe.
Librat e këtyre gjeneralëve, në të cilët mohohen krimet në Kosovë, janë promovuar nga Ministria e Mbrojtjes në Panairin e Librit në Beograd.
Ligjërata e Llazareviqit mbante titullin: «Heroizmi dhe humanizmi i ushtarëve serbë në mbrojtje nga agresioni i NATO-s dhe në kryerjen e operacionit antiterrorist në Kosovë e Metohi 1998–1999».
Vetëm pak ditë pasi Vergori mori komandën e KFOR-it në Prishtinë, në Beograd Ministria e Mbrojtjes shfaqi filmin propagandistik «Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu». Ishte ky një glorifikim i një trupe ushtarake të shndërruar në bandë kriminale për vrasje civilësh.
Gjenerali italian Roberto Vergori, zëvendësit e tij dhe zyrtarët e tjerë të KFOR-it mund t’i referohen marrëveshjes së vitit 1999 me ushtrinë serbe, të arritur pas kapitullimit të saj, kur tolerojnë takime të tilla. Por 27 vjet pas luftës dhe 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rrethanat politike kanë ndryshuar rrënjësisht. Është e logjikshme që edhe ushtarakë si Vergori t’i përshtatin qëndrimet e tyre me realitetin e ri. Këto vizita të oficerëve serbë në Prishtinë nuk e shtojnë sigurinë e askujt. Përkundrazi, vetëm rihapin plagët e së kaluarës.
Gjenerali Vergori do të bënte mirë që, në takimin e ardhshëm me oficerët serbë, në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, të kërkonte, për shembull, që Serbia ta nxirrte para gjyqit Lubisha Dikoviqin, i cili akuzohet për krime lufte në Drenicë, si dhe për fshehjen dhe transportimin e kufomave në rastin e varrezës masive të Rudnicës. Dikoviqi më vonë u bë edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.
Një komandant i KFOR-it do të duhej t’i kishte të gjitha këto hije të së kaluarës parasysh. Vergori, fatkeqësisht, nuk është i vetmi komandat i KFOR-it të cilit i mungon takti politik.

