Shenzhen, takimi ku fuqitë konfirmuan konkurrim me ekuilibër

6 Minuta Lexim
Nga Aleksandër Çipa-
Takimi në Shenzhen, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve më të fuqishme të hapësirës aziatiko-paqësor, i përcaktuar për qëllimin e agjendës së takimeve të APEC-ut, në fakt  mbart si arritje një kthesë gjeodiplomatike mes dy fuqive kryesore të Botës, përkatësisht Kinës dhe SHBA-ve.

Mjaft detaje të këtij takimi, por sidomos fjalimet e dy krerëve kryesorë, Presidentit të Kinës Xi Jinping dhe homologut amerikan Donald Trump, patën si brendi pranimin e një realiteti mes dy fuqive, ku jo vetëm mund të bashkëjetojë konkurrimi, por edhe të sigurohet kërkimi reciprok i ekuilibrit ndërkombëtar.

Ndryshimet e sistemit ndërkombëtar, nuk janë tashmë në sipër, por në fazën rishtare të ndodhjes komplekse dhe me pasoja dhe efekte të paparashikuara

Vizitat dhe sidomos ritakimet mes dy krerëve të lartë të fuqive, janë shprehje e qartë e  rikthimit në një pikë kulmore të diplomacisë bilaterale kino-amerikane.

Pavarësisht, bëhet fjalë për rikthim të diplomacisë për kontroll mbi teknologjinë dhe burimet strategjike, të cilat në mënyrë të padiskutueshme po përcaktojnë ekuilibrat e rinj të politikës globale.

Presidenti i Kinës në fjalën e vet u ndal në disa referenca kohore për të karakterizuar specifikat dhe tipologjitë e historisë  bilaterale në  periudha të ndryshme.

Xi Jinping u shpreh se: më shumë se 50 vjet më parë, diplomacia e ping-pongut midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara hapi derën e shkëmbimeve të mbyllura prej kohësh. Politikanë veteranë kinezë dhe amerikanë, me mençurinë politike të “nxitjes së një topi të madh me një top të vogël”, nisën procesin e madh të normalizimit të marrëdhënieve Kinë-ShBA…

…Pavarësisht se konkurrimi i dy fuqive shtrihet matanë  tregtisë, dialogu në nivelet më të larta, madje dhe shkëmbimet e vizitave presidenciale në të dy vendet, kanë shënuar një rekord në kalendarin e historisë së diplomacisë kino-amerikane.

Dialogu, në këtë afrim diplomatik, nuk nënkupton fundin e konkurrencës, por dimensionon menaxhimin e rivalitetit  dhe ndonëse nuk zhduk tensionet, shmang potencialisht përshkallëzimin. Nuk ka asnjë dyshim se përshkallëzimi sjell automatikisht pasoja potenciale për ekonominë  ndërkombëtare.

Shkencat politike dhe sidomos politologjia, e njohin maksimën se: dialogu politik apo ai diplomatik, nuk mishëron domosdoshmërisht  zgjidhjen e konflikteve apo mospërputhjeve strategjike.

Foto nga Xinhua

Në këtë moment të kërkimit të një realiteti me rend të ri ndërkombëtar, dy fuqitë e mëdha po bashkëpunojnë në disa lëmi, por njëkohësisht vijojnë konkurrimin në lëmi të tjera.

Fjalimi i presidentit të Kinës në Samitin e Drejtorëve Ekzekutivë të APEC-ut në Shenzhen, jo vetëm që afirmon ndërkombëtarisht, një epiqendër diskutimesh për interaktivitetin tregtar dhe inovativ, por konfirmon praktikisht se këto takime, shënohen si moment rikonfigurues për ekuilibrat politikë, ekonomikë dhe strategjikë në botën me rend të shprishur. Koha bisedimore e përfaqësuesve në këtë takim ka për gjurmë një mundësim diskutimi për të ardhmen e tregtisë, teknologjisë, agjendën e investimeve dhe sigurinë ekonomike.

Nuk ka asnjë dyshim se përmes këtij takimi, Kina jo vetëm krijoi një perceptim edhe më pozitiv për pozicionin e vet në sistemin ndërkombëtar, por njëherësh ekspozoi qartazi vullnetin si kontributore në agjendën e re ndërkombëtare.

Nga ky këndvështrim, takimi dhe forumi i Shenzhenit  është një premisë pohuese për realitetin në zgjerim të hapësirës dhe veprimit ndërkombëtar prej fuqisë  botërore.

Por si duhet lexuar dhe çfarë shpreh përfshirja e aktorëve të tjerë të fuqishëm ndërkombëtarë në takimin e Shenzhenit?!

Prania e Moskës në diskutime të nivelit të tillë, nuk ka asnjë dyshim se është e lidhur me shkaqet e situatës së sigurisë në Europë, luftës në Ukrainë dhe përballjen në dimensione më të mëdha e komplekse gjeopolitike me shtete të fuqisë rajonale. Rusia domosdoshmërisht synon ruajtjen e statusit si fuqi globale dhe tenton të evitojë izolimin diplomatik.

SHBA e sheh raportin me Rusinë si instrument  në marrëdhëniet strategjike. Në Shenzhen u artikulua dhe u shfaq diplomacia e fuqive të mëdha për kanale komunikimi, ndonëse kundërshtitë e thella strategjike mbeten po aq të thella.

Foto nga VCGTakimet e kryeshtetarëve në Shenzhen dhe fjala e tyre në publik, patën si vlerë përfunduese,  faktin se ekonomia dhe gjeopolitika nuk janë dy fusha të ndara në këtë realitet të botës.

Sistemi i konkurrencës është edhe më kompleks, edhe më agresiv, por sidomos edhe më përcaktues,  për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin në dekadat e ardhme të njerëzimit.

Takimet e APEC-ut vlejnë si një pasqyrë e imazhit të tendencës së aktorëve përcaktues për ekuilibër, por ende në një terren pa rregulla të konsoliduara.

Mes kërkesës për zgjerim ndikimi të Kinës, synimit për ruajtje të pozicionit strategjik të SHBA, kërkesës së Rusisë për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe Europës që do të ruajë peshën e vet në këtë realitet, stacione takimesh si Shenzheni, bëhen të vyera, sepse potencohen e përcaktohen si vatra mesazhesh gjeopolitike në interes të njerëzimit.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull