Deklaratat e Partisë Demokratike se protesta e 6 dhjetorit është vetëm sensibilizuese e zotimeve se tubimi do të jetë paqësor nga fillimi në fund, nuk e kanë shmangur paralajmërimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara drejtuar qytetarëve amerikanë që të bëjnë kujdes në këtë datë.
“Për shkak të masave të marra në mbështetje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë të martën, pritet mbyllje e rrugëve dhe devijime të trafikut përgjatë gjithë ditës në qendër të kryeqytetit dhe në Unazë.
Ambasada është në dijeni se mund të ketë një tubim në qendër të Tiranës. Protestat kanë potencialin të përhapen dhe në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje shtesë të rrugëve.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin grumbullimet e mëdha. Edhe pse shumë evente masive zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.
Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e misionit diplomatit të SHBA-së në vendin tonë.
Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në bllokun europian. Ai vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar.