Tronditet Parlamenti Europian nga korrupsioni: Eurodeputetes greke iu gjetën 600,000 euro, pranga dhe partnerit të saj

3 Minuta Lexim

Një hetim mbi dyshimet për korrupsion ka përfshirë Parlamentin Evropian.

Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, e cila është një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, u shoqërua për t’u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje në lidhje me hetimin mbi korrupsionin e dyshuar që përfshin “një vend të Gjirit”, raportuan AFP dhe gazeta belge Le Soir, duke cituar prokurorinë.

Burime të Parlamentit Evropian i thanë Euronews.com se zyrës së Kailit i ishte vënë shiriti nga policia e Belgjikës, së bashku me zyrat e dy eurodeputetëve socialistë belgë, Maria Arena dhe Marc Tarabella.

Maria Arena mohoi çdo përfshirje të saj në këtë akuzë, dhe tha se hetimi po bëhej për asistenten e saj.

“Shiriti u vendos sepse ajo punoi për OJQ-në Fight Impunity, besoj, në vitin 2019”, tha Arena për Le Soir. “Nuk ka lidhje me faktin që ajo është asistentja ime”.

Mëngjesin e të premtes policia belge kishte arrestuar katër persona të tjerë për të njëjtin hetim.

Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i eurodeputetes Kaili.

Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se e ishte “përjashtuar” nga anëtarësia.

Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600,000 euro para kesh dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në aksionin e të premtes. Gjatë bastisjes u kontrolluan gjithsej 14 vende.

“Për disa muaj, hetuesit e Policisë Gjyqësore Federale kanë dyshuar për një vend të Gjirit se ndikon në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian, kjo bëhet duke paguar shuma të mëdha parash ose duke u ofruar dhurata të majme palëve të treta me rol të rëndësishëm politik dhe/ose pozicioni strategjik brenda Parlamentit Evropian”, thuhet në deklaratë.

Zyra e prokurorit nuk e përmendi vendin në qendër të hetimit. Deklarata e saj për shtyp i referohej vetëm një “shteti të Gjirit”. Le Soir e identifikoi vendin si Katar.

Përfituesit janë personalitete me “një pozicion të rëndësishëm politik dhe/ose strategjik” në Parlamentin Evropian.

Katërshja e arrestuar besohet se janë të gjithë shtetas italianë, mes tyre dhe partneri i Kailit, Francesco Giorgi, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Kaili, 44 vjeç, është një ish-prezantuese e televizionit grek dhe eurodeputete që nga viti 2014.

Të kontaktuara nga Euronews, shërbimet e shtypit të Parlamentit Evropian thanë se “Parlamenti Europian nuk komenton procedurat gjyqësore”.

“Si gjithmonë, Parlamenti Evropian bashkëpunon plotësisht me autoritetet kombëtare përgjegjëse. E njëjta gjë në këtë rast specifik,” shtuan ata.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull