ONM bën bilancin e vetingut: 247 magjistratë u larguan nga sistemi me shkarkim ose dorëheqje

2 Minuta Lexim

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri të ditur përmes faqes së Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri bilancin e procesit të vetingut gjatë pesë viteve që prej seancës së parë në shkurt 2018.

Duke iu referuar të dhënave të njoftimi prej fillimit të procesit nga rreth 800 magjistratë ndaj 432 prej tyre ka tashmë vendime që kanë marrë formë të prerë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit apo edhe pasi ndaj tyre nuk ka pasur ankime. Nga këto 185 magjistratë janë konfirmuar në detyrë, 113 janë shkarkuar dhe 132 janë larguar përmes dorëheqjes apo formave të tjera.

ONM bën me dije se ndërkohë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit deri në fund të nëntorit të këtij viti ishin përfunduar 583 çështje. Mandati i KPK ishte parashikuar të përfundonte këtë vit, por pas kërkesës së ONM mandati u shty edhe 2 vjet të tjera me qëllimin që magjistratët t’i nënshtrohen të njëjtit standard rivlerësimi.

Nga këto çështje të shqyrtuara në shkallën e parë ishin dhënë 214 vendime shkarkimi nga detyra, nga të cilat 8 u ndryshuan në KPA me vendime konfirmimi. Ndërkohë janë dhënë 230 konfirmime nga KPK, prej të cilave 26 janë prishur nga Kolegji që ka dhënë shkarkime.

Ndërkohë nga një numër prej 298 ankimesh, shumica dërrmuese e të cilëve të bëra nga magjistratët e shkarkuar, 130 ende presin të shqyrtohen.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull