Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmet ndaj EULEX dhe policisë në veri të Kosovës.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj dialogu madje komplikon më tej çdo gjë.
“Sulmet mbi EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!” shprehet Rama.
Kryeministri ka vlerësuar aktin e marrë nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila vendosi për shtyrjen e votimeve në atë zonë.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet!
Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.” shkruan Rama.