Messi – Mbappe, finalja e dy yjeve të PSG-së

6 Minuta Lexim

“Pothuajse miq”, siç titullohet filmi i famshëm francez. Kylian Mbappé dhe Leo Messi, kundërshtarë në finalen e Kupës së Botës të së dielës pasdite në stadiumin “Lusail”, janë bashkëlojtarë te PSG. Tashmë nuk ka tension mes tyre, por fërkimi nuk ka munguar në një vit e gjysmë të fundit. Merret si referencë rinovimi stratosferik i kontratës nga francezi, kur në fakt dukej “i fejuar” me Real Madridin, por edhe lidhja e krijuar mes argjentinasit dhe Neymar.

Që atëherë, shumë ujë ka rrjedhur nën urë dhe Emir Al Thani, përmes Presidentit Al-Khelaïfi, i ka detyruar tri yjet e tij të mësojnë të jetojnë së bashku. Në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Aq sa numri 7, në një intervistë në tetor shpjegoi: “Hierarkitë janë të qarta. Unë pranoj të vrapoj kur Messi ecën dhe nuk kam asnjë problem. Mos harroni se po flasim për Messin”.

Kjo është njohja e një lidershipi, që argjentinasi do ta ketë të paktën deri në fund të sezonit, kur i skadon kontrata. Ai do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë përvojën te PSG, do të kthehet në Barcelonë për të përfunduar karrierën e tij, apo do të shkojë kushedi se ku (Inter Miami është një oistë interesante). Dhe të mendosh se me nënshkrimin e zgjatjes së kontratës, Mbappe ishte njohur nga klubi tëkishte ndikim të konsiderueshëm në vendime të rëndësishme.

Shumë argumentojnë se trajneri Galtier ishte “bekuar” nga Kylian, gjithashtu admirues i madh i drejtorit sportiv Luis Campos, me të cilin kishte punuar te Monaco. Messi, nga ana tjetër, ishte sjellë nga Leonardo, i cili u hoq pikërisht për t’i lënë vend Campos.

Nga shkurti e tutje, Messi dhe Mbappé, së bashku me Neymar, do të duhet të përpiqen të eliminojnë Bayern Munich në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Nuk do të jetë një shëtitje në park, sepse kampionët e Gjermanisë janë një pengesë e madhe për PSG-në, e cila me siguri mund të kishte pasur fat shumë më të mirë në shortin e Nyon-it. Synimi është të shkohet përpara për t’u hakmarrë për dështimin e vitit të kaluar, kur parizienët u eliminuan në 1/8 finale nga Real Madridi, pasi fituan ndeshjen e parë 1-0 në “Parc des Princes”.

Emiri më në fund dëshiron të ngrejë kupën me veshë të mëdhenj dhe të harrojë zhgënjimet e shumta të pësuara përtej kufijve kombëtarë. Dhe që kjo të ndodhë, ai ka nevojë që yjet e tij të shkëlqejnë të gjithë së bashku, siç ndodhi në këtë Botëror, ku Kylian dhe Leo do të takohen në finale, ndërsa Neymar e ka ndërprerë garën e tij që në çerekfinale, pavarësisht se është i barabartë me Pelé në renditjen e golashënuesve më të mirë të Seleçao (nga 77 gola).

Mbappé ka fituar tashmë Botërorin 2018 në Rusi, duke shënuar 4 gola, dhe në moshën 24-vjeçare (do t’i mbushë të martën) mund të ngrejë trofeun e dytë global. Nuk është rastësi që në moshën e tij, Pele kishte shënuar 8 gola në fazën finale të Kupës së Botës. Edhe Messi është në finalen e tij të dytë të Kupës së Botës, por ndryshe nga francezi, ai humbi të parën, në Brazil 2014 kundër Gjermanisë.

Ai ishte në prag të largimit nga “Seleccion” të paktën disa herë, por më pas fitoi “Copa America” 2021 dhe në “Katar 2022” mori mbi supe skuadrën që kishte humbur në debutimin e saj kundër Arabisë Saudite. Krahasimi me Maradonën nuk e tmerron më, ai ka mësuar të jetojë me të dhe nëse e ngre atë kupë të dielën…

Me gjithë botën duke i parë, në stadiumin “Lusail”, këto dy fenomene që iu përkasin brezave të ndryshëm do të garojnë për Kupën e Botës, por edhe për titullin e golashënuesit më të mirë të turneut (të dy janë në kuotën e 5 golave), ai i MPV të kompeticionit, ndoshta edhe i FIFA-s.

Sepse nëse “Topi i Artë” i shkoi Benzema, është e komplikuar që Karim të fitojë edhe çmimin “Tfe Best” të FIFA-s, duke qenë se e ka përcjellë Botërorin e Katarit nga televizori për shkak të një dëmtimi. Messi-Mbappe…; e diela mund të jetë dueli i tyre i fundit në një skenë të madhe, pastaj krah për krah do të luftojnë për ta bërë PSG-në të madhe në Evropës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull