Rikthehen përmbytjet në veri të Shqipërisë, probleme nga moti i keq në vend

3 Minuta Lexim

Pas dy ditëve me temperatura mbi mesataren e muajit dhjetor dhe kohë me diell, reshjet kanë rinisur sërish duke shkaktuar probleme në vend.

Shirat e shumtë gjatë natës dhe paradite, por dhe mbajtja hapur e tunelit të shkarkimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës kanë zgjeruar sipërfaqet e tokave të përmbytura në njësinë administrative ana e malit dhe në Dajc.

Rreth 3 mijë ha tokë janë nën ujë. Sipas emergjencave civile Rruga e Obotit është e kalueshme vetëm nga mjetet e larta dhe Ujësjellësi Oblika 1 dhe Oblika 2 janë jashtë funksionit. Pas përmirësimit të motit rreth mesditës, shkarkimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës u ndërprenë.

Deri në orën 12:00 të ditës së shtunë është shkarkuar 900 metër kub ujë në second. Aktualisht nuk shkarkohet nga kjo portë shkarkimi. Janë ndërprerë shkarkimet për shkak edhe të prurjeve anësore që kanë rënie krahasuar me natën e së premtes dhe mëngjesin e së shtunës.

Si pasojë e reshjeve intensive të shiut, nënkalimi në Fushë-Mamurras u bllokua për rreth një orë gjatë paradites. Dëme nga përmbytjet janë shkaktuar edhe në disa banesa të zonës së Kurbinit. Në Lezhë janë nën ujë 500 hektarë tokë të përmbytura në zonën e Baldrenit.

Prurjet në lumin Mat u shtuan, por nuk pati përmbytje. Në bashkinë Mirditë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë. Rruga Kukës-Shishtavec u bllokua për disa orë nga rënia e gurëve.
Përkeqësimi i motit ka lënë pa energji elektrike qytetin dhe disa fshatra të Librazhdit. Reshjet e dendura kanë shtuar prurjet në lumin Shkumbin, duke shkaktuar përmbytjet e tokave buzë bregut.

Era e fortë me shpejtësi 60 km/h ka bërë që fuqia e detit në Vlorë të shkojë deri në 6 ballë.

Vijon të mbetet i pezulluar lundrimi në Vlorë prej datës 14, ndërkohë që situate pritet të përmirësohet duke nisur nga pasditja e kësaj të shtune. Pezullimi është kryesisht për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit, ndërsa ka vijuar normalisht intenerarin Vlorë Brindisi.

Kryeministri Edi Rama garantoi monitorim të pandërprerë të situatës së krijuar nga reshjet. Me qëllim parandalimin e aksidenteve, Policia e Shtetit i bën apel qytetarëve të kenë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore si dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull