Policia e Kosovës ka shprehur angazhimin e plotë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në veri të Kosovës për shkak të situatës së krijuar nga barrikadat e vendosura.
Nëpërmjet një postimi në facebook, policia bën me dije se ishin marrë masat e nevojshme për parandalimin e akteve kriminale që organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale.
“Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”-shkruhet në reagim.