Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar takime me minoritetin grek në fshatin Derviçan të Dropullit në Gjirokastër ku është pritur nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
Gjatë takimeve kryeministri Rama e ka ftuar sërish homologun e tij grek në Shqipëri, për të përuruar sheshin e Dervicanit dhe bustin e ish-kryeministrit grek Konstantinos Mitsotakis, i cili është babai i Kyriakos Mitsotakis. Rama ka shtuar se i pari dhe i fundit Kryeministër i Greqisë që ka vizituar këto zona ka qenë babi i ndjerë i kryeministrit aktual, Konstandinos Mitsotakis.
“Do vendosim bustin e të ndjerit këtu në këtë zonë, babait tuaj. Për të merituar ti një bust në të ardhmen duhet të vish 5 herë këtu. Por duhet të fitosh zgjedhjet njëherë që të vish si kryeministër. E dyta, në përvjetorin e të atit ne shpresojmë ta kemi këtu. Na jep fjalën të vish këtu ta inagurojmë, se unë do jem prapë kryeministër, të inagurojmë sheshin dhe vendosjen e bustit.” tha Rama.
Konstantinos Mitsotakis vdiq më 29 maj të vitit 2017, ndërsa ishte kryeministri i parë dhe i fundit grek që ka vizituar në Shqipëri minoritetin grek. Rama tha se në përvjetorin e vdekjes së Konstantinos Mitsotakis, do të përurohet edhe busti i tij.