Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar në një postim për arrestimin e zyrtares së AKSHI-t, në makinën e së cilës u gjet një sasi kanabisi.
Topalli kujton edhe arrestimin e drejtoreshës së Mjedisit në Tiranë Viola Sterjo, me akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha.
Ajo thotë se nëse nuk ndodh ndryshimi… këto drejtoreshat e sotme nesër do të jenë edhe ministre…dhe investitore strategjike.
“Njëra drejtoreshë fut në xhep 190 mijë euro me premtimin (mashtrimin), se do të ndërhyjë për një grant prej 3 milionë eurosh në këmbim nga AZHBR.
Drejtoresha tjetër bënte shoferen e transportimit të 58 kg drogë. Kjo ishte e njohur dhe si falsifikuese e manipuluese votash. Trafiku i drogës dhe bërja e sekserit duket se është kriter thelbësor për karrierë sot.
Ndërkohë që një zonjë dha shpirt në dyert e bashkisë, ku kërkonte t’i kthenin ndihmën sociale që ia kishin hequr në mënyrë çnjerezore në prag të festave, ndihmë me të cilën mbante frymën.
Korrupsioni dhe kriminalizimi janë arsyeja bazë pse në Shqipëri ka kaq dhimbje e kaq varfëri. Korrupsioni dhe kalbëzimi janë arsyeja kryesore pse Shqipëria ka borxh dhe çmime kaq të larta, ka rroga e pensione kaq të ulëta.
Korrupsioni dhe kriminalizimi janë arsyeja e vetme pse ka kaq padrejtësi në vendin tonë, pse të gjithë duan të ikin, pse nuk ka shpresë.
Nëse ndryshimi nuk bëhet…këto drejtoreshat e sotit, nesër edhe këto do të jene ministre…dhe investitore strategjike!!!”– shkruan Topalli.