Serbia ka qenë në prag të një fatkeqësie me NATO-n për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Aleksandër Vuçiç i cili bisedoi së fundmi me përfaqësuesit europianë për t’u thënë që të bëjnë kujdes në përmbushjen e garancive të dhëna për heqjen e barrikadave.
Sipas tij, situata në veri të Kosovës është më e rrezikshme dhe më e vështirë nga se mendojnë ndërkombëtarët.
“Do të kishim pasur një fatkeqësi me NATO-n, por ia dolëm ta shmangnim atë në këtë moment. Populli serb është i vendosur të mos lejojë më terrorin. Kam frikë nga papërgjegjësia dhe pushtetarët arrogantë të Prishtinës”, është shprehur Vuçiç.
Ndër garancitë që, sipas tij duhet të respektohen është edhe fakti që policia e Kosovës nuk mund të shkojë më në veri pa pëlqimin e serbëve lokalë atje.