Presidenti rus dhe ai kinez kanë zhvilluar një bisedë për thellimin e lidhjeve strategjike, në një takim me rastin e fundvitit të transmetuar në televizionin rus.
I ndodhur në izolim ndërkombëtar dhe i sanksionuar për shkak të luftës në Ukrainë, presidenti Putin i ka kthyer sytë nga Kina për mbështetje.
“Natyrisht, bashkëpunimi ushtarak dhe ai ushtarako-teknik, që kontribuon në garantimin e sigurisë së vendeve tona dhe ruajtjen e stabilitetit në rajonet kyçe zë një vend të veçantë në gamën e marrëdhënieve ruso-kineze.
Dhe ne synojmë ta përforcojmë bashkëpunimin mes forcave të armatosura të Rusisë dhe Kinës”, u shpreh Putin.
Kreu i Kremlinit ftoi homologun Xi të vizitojë Moskën vitin e ardhshëm. Nga ana e tij, lideri kinez foli për një epokë të re në raportet dypalëshe.
“Nën lidershipin tonë, partneriteti gjithëpërfshirës Kinë-Rusi dhe ndërveprimi strategjik në një epokë të re po tregon maturi dhe qëndrueshmëri.
Potenciali dhe vlerat e bashkëpunimit dypalësh po ndihen gjithnjë e më shumë dhe një numër i konsiderueshëm projektesh të përbashkëta po realizohen”, theksoi Xi Jinping.
Rusia dhe Kina kanë ndërmarrë një seri stërvitjesh të përbashkëta detare, por Pekini nuk ka ofruar ndonjë mbështetje për luftën e Moskës në Ukrainë. Pekini ka vlerësuar disa nga retorikat anti-Perëndim të Putin, por ajo është e vetëdijshme se mund të preket nga sanksionet ndërkombëtare nëse mbështet pushtimin rus.