Çmimet evropiane të gazit natyror e nisën vitin e ri me rënie pasi moti i butë frenoi kërkesën.
Lajmi u bë i ditur nga kompania “Bloomberg” dhe agjencia “AFP”.
Kontratat e së ardhmes standarde ranë deri në 7.9 për qind në nivelin më të ulët që nga 21 shkurti, duke zgjatur tre javë rënie neto.
Në financë, një kontratë e “së ardhmes” është një kontratë ligjore e standardizuar për të blerë ose shitur diçka me një çmim të paracaktuar për dorëzim në një kohë të caktuar në të ardhmen, midis palëve që nuk njihen ende për njëra-tjetrën.
Parashikimet e motit tregojnë për temperatura mbi normat sezonale për pjesën më të madhe të rajonit në dy javët e ardhshme, gjë që do të ndihmojë Evropën të shmangë shterimin e rezervave të saj shumë shpejt ndërsa kalon dimrin.
Pas një viti paqëndrueshmërie ekstreme – me kostot e energjisë që arrijnë nivele rekord në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë – tregu e nis vitin 2023 më pak i stresuar.
Çmimet e gazit ranë rreth 47 për qind në dhjetor pasi Evropa arriti të zëvendësojë pjesën më të madhe të flukseve të frenuara të Rusisë me furnizime të gazit natyror të lëngshëm.
Temperaturat më të buta për një periudhë të zgjatur, së bashku me një ngadalësim tipik në fund të vitit të kërkesës industriale, mund të ndihmojnë rajonin të mbajë inventarët mirë deri në fund të sezonit.
Çmimet më të ulëta të gazit janë gjithashtu një lehtësim për ekonominë evropiane, e cila është nën presion nga normat e larta të inflacionit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se kriza energjitike e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin ishte një “provë e vështirë” për ekonominë më të madhe të kontinentit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të kursejnë energji në muajt në vijim.
Nivelet e ruajtjes së gazit në Gjermani u rritën në 90 për qind gjatë javës së kaluar, krahasuar me një mesatare pesëvjeçare prej 73 për qind për këtë periudhë të vitit, sipas Gas Infrastructure Europe.
Terminalet e rinj të importit të LNG-së “po e bëjnë vendin tonë dhe Evropën të pavarur nga gazi rus për një afat të gjatë”, tha Scholz në fjalimin e tij të Vitit të Ri drejtuar kombit.
Çmimet e energjisë elektrike gjithashtu u ulën, me kontratat e së ardhmes gjermane për muajin përpara që humbën 4.5 për qind.