Globalizimi financiar po merr fund

6 Minuta Lexim

Pas dyzet vitesh promovimi të integrimit përmes tregtisë dhe financave, ekonomia globale ka filluar një proces të dhimbshëm fragmentimi. Fillimisht e nxitur nga vendet e pasura – Shtetet e Bashkuara të ish-Presidentit Donald Trump dhe Mbretëria e Bashkuar pas referendumit të Brexit – forca të ndryshme gjeopolitike janë kombinuar për të përshpejtuar përpjekjet drejt deglobalizimit. Përçarjet në tregtinë globale mund të paralajmërojnë fragmentimin e tregjeve ndërkombëtare. Mbylljet e shkaktuara nga pandemia kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimit global dhe mbylljen e qendrave kryesore të prodhimit, veçanërisht në Kinë.

Në mënyrë të ngjashme, lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrugët tregtare dhe ka detyruar vendet perëndimore të gjejnë furnizues alternativë për mallrat bazë si nafta, gazi, drithërat dhe plehrat. Sanksionet e udhëhequra nga perëndimi kundër Rusisë kanë penguar më tej tregtinë, duke shkaktuar një rritje të papritur të çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Megjithatë, ndërsa tregtia globale mund të bëhet edhe më e fragmentuar nëse ekonomitë e mëdha miratojnë politika proteksioniste, tregjet financiare mbeten shumë të integruara. Flukset ndërkombëtare të kapitalit janë ende kryesisht të parregulluara. Ky kombinim po rezulton vdekjeprurës për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.  Liberalizimi i llogarive kapitale (pjesë e buxhetit publik në lidhje me investimet) që u bë në këto vende në vitet 1990 çoi në hyrje të mëdha parash me rrezik të lartë: kapitali financiar privat i nxitur jo aq shumë nga parashikimet e rritjes së vendeve në zhvillim, se sa nga  politikat makroekonomike të vendeve të pasura.

Pas krizës financiare të vitit 2008, flukset e kapitalit drejt tregjeve në zhvillim u rritën, ndërkohë që zgjerimi monetar i bankave qendrore të vendeve të pasura nxiti flluska spekulative. Operatorët financiarë merrnin hua dollarë me kushte të favorshme dhe ua jepnin në valutë vendeve në zhvillim, ose i investonin në tregjet e monedhës vendase, duke fituar nga diferenca në normat e interesit dhe në vlerën e këmbimit. Me kalimin e viteve, fluksi i parave të nxehta, të përdorura shpesh si tampon dhe të investuara në letra me vlerë me rendiment të ulët, i ka bërë ekonomitë në zhvillim vulnerabël ndaj largimit të kapitalit.

Rritja e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ka përkeqësuar borxhet e jashtme të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke i detyruar ato të ofrojnë norma interesi edhe më të larta se ekonomitë e zhvilluara, duke bllokuar kështu rimëkëmbjen pas pandemisë. Për më tepër, këto rritje të normave nuk kanë penguar ikjen e investitorëve të huaj, duke zhvlerësuar monedhat e vendeve në zhvillim dhe duke dëmtuar tregjet e tyre të punës dhe perspektivat e rritjes ekonomike. Megjithatë, kombinimi i normave të larta të interesit dhe shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare në vendet e pasura rrezikon të shkaktojë recesione.

Pasi kanë ndjekur shembullin e Rezervës Federale, Bankës Qendrore të SHBA-së, shumë vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta janë në një gjendje stagflacioni të rëndë dhe integrimi me financat globale po përkeqëson problemet e tyre ekonomike.

Në vend që të imitojnë vendet e pasura, ekonomitë në zhvillim duhet të vendosin politika të bazuara në nevojat e tyre: kontrolle të çmimeve për mallrat bazë, rritje të prodhimit vendas dhe mbrojtje sociale të garantuara për të papunët dhe ata që janë më të goditur nga kriza, inflacioni. Ata gjithashtu duhet të vendosin më shumë kontrolle të kapitalit. Për më tepër, ashtu siç kanë sfiduar në mënyrë eksplicite ose të nënkuptuar sanksionet e udhëhequra nga SHBA kundër Rusisë, ata gjithashtu duhet të emancipohen nga sistemi financiar ndërkombëtar i dominuar nga Uashingtoni.

Ekonomitë në zhvillim nuk mund të veprojnë të vetme, prandaj bashkëpunimi rajonal është thelbësor. Raporti vjetor i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin i referohet instrumenteve të ndryshme financiare për të kundërshtuar dominimin e ekonomive të përparuara. Nëse tregtia midis vendeve në jugun global rritet me shpejtësi, vëren raporti, flukset do të paguhen në monedhat e tyre ose nëpërmjet mekanizmave të monedhës rajonale që mund të ndihmojnë në negocimin e marrëveshjeve të ristrukturimit të borxhit dhe sigurimin e garancive rajonale.

Globalizimi duhej të sillte një epokë rritjeje në botën në zhvillim, por në realitet bëri të kundërtën. Tani vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta duhet të përfitojnë nga deglobalizimi dhe të shfrytëzojnë fragmentimin e tregjeve.

* Ekonomiste indiane, profesore në Universitetin Jawaharlal Nehru në New Delhi / Internazionale

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull