Ambasada Italiane në vendin tonë ka reaguar menjëherë pas operacionit të policisë shqiptare dhe anti-mafias italiane, ku u arrestuan 38 persona, të akuzuar për trafik droge, korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash.
Me anë të një postimi në Facebook, ambasada ka dhënë disa detaje në lidhje me këtë operacion, ku mbetën të arrestuar, prokurorë, shefa policie, drejtorë dhe persona të tjerë të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Ja ç’thuhet në njoftimin e Ambasadës italiane:
Drejtoria Hetimore Antimafia, së bashku me autoritetet shqiptare, me ndihmën e Zyrës Italiane të Ndërlidhjes Interforcë në Tiranë dhe të policisë shqiptare, janë duke ekzekutuar urdhra ndalimi të 38 personave përgjegjës për veprat penale të korrupsionit, abuzimit me detyrën, pastrimit të produkteve të veprave penale dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.