Rama kërkon të votojë zëdhënësen e PS-së në krye të AMA-s, thirrja urgjente nga BE: Prisni Shtatorin!

2 Minuta Lexim

Delegacioni i BE-së në Tiranë kërkon nga mazhoranca që të mos votojë sot në Kuvend emrin e ri që do të zgjidhet në krye të AMA-s, ku socialistët kanë përzgjedhur zëdhënësen e tyre Armela Krasniqi.

Në një reagim të gjatë të delegacionit të BE-së, thuhet se kreu i ri i AMA-s të zgjidhet në muajin shtator, kur të jetë ngritur edhe parlamenti i ri.

BE thekson se ka ndjekur të gjitha zhvillimet sa i takon përzgjedhjes së kreut të ri të AMA-s, dhe thekson se është e nevojshme që ky institucion të qëndrojë larg ndikimeve partiake.

Emri i Krasniqit është denoncuar vazhdimisht dhe nga Partia Demokratike, e cila e konsideron atë një levë të Ramës për të pasur kontroll të plotë mbi mediat.

Deklarata e plotë e delegacionit të BE-së:

Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente & me legjitimitet të njohur nga të gjithë. BE ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive & ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente & të pavarura për emërimin & shkarkimin e kryetarit & anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve. Ky legjislacion është pjesë e acquis të cilin duhet të përshtasë.

Kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të AMA. Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature.

Ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me emërimin gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull