Skandali me tenderin e uniformave të Policisë, Sandër Lleshaj ‘lan duart’

2 Minuta Lexim

Sandër Lleshaj mbante detyrën e ministrit të Brendshëm, kur u nënshkrua tenderi për blerjen e uniformave të policisë së shtetit me vlerën mbi 2.8 miliardë lekë.

SPAK firmosi të shtunën urdhër-arrestin për 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, nën akuzë për shkeljen në barazi dhe pjesëmarrje në tendera.

Ish-ministri, Sandër Lleshaj ka folur për herë të parë për këtë çështje për ABC, ku ka përshëndetur SPAK për hetimet e kryera.

“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar”, tha Sandër Lleshaj.

Duke iu referuar hetimeve që zgjatën për rreth 10 muaj, rezulton se për të favorizuar kompaninë D&E shpk, që fitoi edhe tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit për një periudhë 4 vjeçare, agjencia e blerjeve të përqendruara në ministrinë e Brendshme shtyu afatin e zhvillimit të tenderit. Lleshaj sqaron se në këto procedura nuk ka pasur asnjë ndikim, pasi ministri nuk ka asnjë rol.

“Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedure konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”, tha Lleshaj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull